UASHINGTON, 26 nëntor /ATSH-AA/ – Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump zgjati afatin e shitjes së aplikacionit kinez për shpërndarjen e videove TikTok deri më 4 dhjetor.

Departamenti i Thesarit theksoi në një deklaratë se Komiteti për Investime të Huaja i dha kompanisë TikTok ByteDance një zgjatje një javore nga 27 nëntori për shitjen e saj, duke lejuar kohë “për të shqyrtuar një paraqitje të rishikuar”.

TikTok u ndalua më 18 shtator në dyqanet amerikane të aplikacioneve pasi Trump urdhëroi ByteDance në gusht të shesë pasuritë e saj amerikane, përfshirë TikTok, tek blerësit amerikanë.

Presidenti në shtator dha miratimin paraprak për TikTok që t’i shitet kompanisë së programeve kompjuterike Oracle.

Trump ka argumentuar se TikTok paraqet një kërcënim të sigurisë kombëtare për SHBA-të duke ndarë informacione të përdoruesve amerikanë me qeverinë kineze. Por, ByteDance mohon këto akuza, duke theksuar se të dhënat e përdoruesve të saj janë të ruajtur jashtë Kinës, duke thënë se është i përkushtuar për të mbrojtur privatësinë dhe sigurinë e përdoruesve./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.