Presidenti Joe Biden i ka kërkuar drejtorit të FBI-së Christopher Wray të vazhdojë të qëndrojë në detyrë, gjë që ai e ka pranuar, bëri të ditur një burim i zbatimit të ligjit për agjencinë “Reuters”.
Zoti Wray ishte shpesh në shënjestër të ish-Presidentit Republikan Donald Trump për shkak të refuzimit të tij për të mbështetur pretendimet e rreme për manipulime në zgjedhjet e 3 nëntorit.
Vendimi i zotit Biden për të mbajtur zotin Wray si shef të Byrosë Federale të Hetimit u mirëprit nga kryetari i Komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve, Adam Schiff, një kritik i mënyrës se si zoti Trump i ka trajtuar çështjet e zbulimit, shkruan VOA.
“Christopher Wray u bë drejtor i FBI-së në një moment turbullirash të jashtëzakonshme që kishin përfshirë byronë dhe vendin. Ai ka shërbyer me profesionalizëm dhe integritet të madh. Jam i lumtur që Presidenti Biden synon ta mbajë në detyrë zotin Wray “, tha zoti Schiff.
Zoti Schiff tha se mezi priste të punonte me zotin Wray për të analizuar “dështimin e operacioneve të zbulimit e sigurisë në raport me sulmin e 6 janarit ndaj Kapitolit dhe nevojën për të zgjeruar në mënyrë dramatike vëmendjen dhe burimet financiare ndaj kërcënimit që paraqet terrorizmi i brendshëm”.
Shtatorin e kaluar zoti Wray u tha ligjvënësve të një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve se Rusia po ndërhynte në zgjedhjet presidenciale, duke përhapur disinformata ndaj kandidatin Joe Biden, raporton VOA.
Zoti Wray shtoi gjithashtu se FBI-ja po kryente hetime të shumta ndaj ekstremistëve të dhunshëm të brendshëm dhe se “pjesa” më e madhe e hetimit përfshinte grupe supremaciste të bardha.
Lidhur me Kinën, zoti Wray tha se FBI-ja hapte “çdo 10 orë” një hetim të ri kundërzbulimi ndaj Pekinit. Christopher Wray u betua në 2 gusht 2017 për një mandat 10 vjeçar në krye të FBI-së. Rrjeti televiziv CNBC ishte që i pari që njoftoi vendimin e Presidentit Biden për ta mbajtur atë në krye të Byrosë Federale të Hetimit.
h.b/dita