Albania

Shpëtimi i 4 fëmijëve nga kampi Al-Hawl në Siri/ Provë e profesionalizmit dhe e përkushtimit të lartë të punonjësve të Policisë së Shtetit

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj deklaroi sot se, realizimi i operacionit të shpëtimit të 4 fëmijëve nga kampi i Al-Hawl në Siri , është provë e profesionalizmit dhe e përkushtimit të lartë të punonjësve të Policisë së Shtetit.

Duke folur në Seancën Plenare në Kuvend, Lleshaj tha se, “një vit pas përfundimit të operacionit të shpëtimit të një fëmije shqiptarë nga kampi famëkeq i Al-Hawl në Siri në bashkëpunim me policinë italiane, në datën 27 tetor 2020 Policia e Shtetit në bashkëpunim me shumë aktorë të tjerë arriti të finalizojë një operacion shpëtimi për 4 fëmijë të tjerë nga i njëjti kamp”.

Ai theksoi se, “realizimi i këtij operacioni shumë të vështirë dhe të ndërlikuar është provë e profesionalizmit dhe e përkushtimit të lartë të punonjësve të Policisë së Shtetit”.

“Falë këtij operacioni u shpëtuan jetët e 4 fëmijëve të pafajshëm”, tha Lleshaj, i cili shtoi se, “ky operacion përcolli përpara qytetarëve shqiptarë një mesazh shumë të rëndësishëm kundër ekstremizmit dhe terrorizmit”.

“Sot më shumë se kurrë çdo shqiptar e ka të qartë sesa e pakuptimtë është futja në rrugën e terrorizmit dhe të ekstremizmit”, u shpreh ai.

Duke falënderuar partnerët ndërkombëtarët për ndihmesën e tyre, Lleshaj garantoi qytetarët se, “përpjekjet tona do të vijojnë për shpëtimin e fëmijëve të tjerë të pafajshëm që ndodhen ende në kushte tepër të vështira në Siri”.

Ndërkohë theksoi Lleshaj, “personat e rritur dhe të përfshirë në veprimtari kriminale dhe terroriste do të duhet që të përballen me drejtësinë”.

Në lidhje me ndryshimet e paraqitura në ligjin për Policinë e Shtetit, Lleshaj tha se, “synojnë të përmirësojnë më tej bazën ligjore në funksion të misionit të saj”.

“Ndryshimi i parë lidhet me Krijimin e Komitetit Kombëtar të politikave për parandalimin dhe luftën kundër krimit të organizuar”, tha Lleshaj, i cili shtoi se, “ky Komitet do të ketë për objekt kryesor të veprimtarisë së tij hartimin, koordinimin, monitorimin, dhe vlerësimin e strategjive dhe planit të masave për parandalimin e krimit të organizuar”.

“Ndryshimi i dytë lidhet me nenin që rregullon autorizimin e Policisë së Shtetit për të përdorur masat e veçanta në veprimtarinë e saj kundër krimit. Në këtë mënyrë Policisë i jepet autorizimi për të përdorur me iniciativën e vet masat e mbikëqyrjes së veçantë vizuale të personave të dyshuar në mjedise publike dhe me miratim të Prokurorit, masat e mbikëqyrjes së veçantë zanore të komunikimeve jo elektronike në të njëjtat mjedise”, tha Lleshaj.

Po kështu, shtoi ministri, “Policisë i jepet autorizimi për të përcaktuar nëpërmjet mjeteve apo pajisjeve teknike vendndodhjen dhe identitetin e personave të dyshuar”.

“Me këto ndryshime Policisë së Shtetit i jepen më në fund disa kompetenca sa të munguara aq edhe të nevojshme, por edhe krejt të natyrshme për Policitë e vendeve të tjera”, tha ai. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Football news:

Zidane on Maradona's death: a Huge loss for the world at large. He was unique
22 teams will participate in the FIFA Arab Cup. The tournament will be held in 2021
Ronaldinho on Maradona: Rest in peace, my idol. Wizard of wizards!
For the first time in 17 years, Liverpool did not score a goal in a home Champions League game
Villas-Boas suggested that in memory of Maradona to withdraw the 10th number from circulation in all teams
Vatican on Maradona: the Pope remembers him in prayer and remembers their meetings with love
Flick about 3:1 with Salzburg: Very happy with Bayern's performance. Neuer-world-class goalkeeper