TIRANË, 1 dhjetor/ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) po vijon në terren kontrollin dhe monitorimin e bizneseve për zbatimin e protokolleve të përcaktuara nga autoritetet në kuadër të luftës për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Sipas AKU-së, janë kryer 549 inspektime dhe monitorime në 24 orët e fundit.

“Gjatë kontrolleve zyrtare për garantimin e sigurisë ushqimore në operatorë të biznesit janë dhënë 29 masa me paralajmërim përgjithësisht për rinovim të librezave shëndetësore, rinovim të analizave të ujit dhe planit DDD”, – bën të ditur AKU.

Referuar Planit të Marrjes së Mostrave janë marrë 27 mostra në monitorim të produktit qumësht. AKU si pjesë e Taskforcës antiCovid vijon me monitorimet në të gjitha kategoritë e bizneseve për zbatim të protokolleve.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kryer inspektime dhe monitorime dhe ka këshilluar 528 qytetarë për mbajtjen e maskës në zbatim të protokolleve të sigurisë.

Gjatë monitorimit është konstatuar se subjektet i respektojnë kushtet higjieno-sanitare dhe respektohet përdorimi i dorezave dhe maskave./k.s//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.