Albania

Skandali i Portit të Durrësit / Privati merr terminalin e kontenierëve për 30 mln euro me 300 mijë euro investim!

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës procedurat aktuale dhe ndër vite të Autoritetit Portual të Durrësit, i cili ka humbur dhjetëra miliona euro duke e dhënë me koncesion, apo tenderuar, Terminalin e Kontenierëve.

Emisioni investigativ faktoi me dhjetëra dokumente se ky terminal, i cili është më fitimprurësi në Portin e Durrësit, do ti jepet sërish privatit, vetëm disa muaj pasi kaloi në favor të shtetit. Për 5 vite, një firmë private do të marrë “cash” plot 30 milionë euro, me vetëm 300 mijë euro investim.

Nga hulumtimi i dokumenteve rezultoi se kostoja maksimale e pagave, mirëmbajtjes, naftës, apo pjesëve të makinerive, për 5 vjet është 10 milionë euro. Ndërkohë, 20 milionë euro të tjera, në “xhep”. Pajisjet, makineritë, por edhe punëtorët, janë gati në port, ndërsa Autoriteti Portual ka vendosur që të bëjë tender, me arsyetimin se “nuk bën dot procedura tenderuese për naftë, goma dhe filtra”. Në dokumentet e tenderit nuk sqarohet asnjë investim që do të bëjë privati, vetëm se “do të menaxhojë në këtë afat” këtë terminal.

“Afera” e koncesionit pas 2013-ës…

Në Portin e Durrësit, më i madhi në Shqipëri, përpunohet më shumë se 85% të tregtisë detare në nivel kombëtar. Porti është një vendndodhje kyçe për rrjetin e anijeve tregtare dhe veçanërisht anijeve me ngarkesa konteinerike. Në vitin 2013, disa muaj para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, terminali i kontenierëve në Portin e Durrësit u dha me koncesion me afat 35 vjeçar.

Fituesi parashikonte të investonte dhjetëra miliona euro të tjera në këtë terminal. Si shpërblim, firma menaxhonte pagesat e ngarkim-shkarkimit, magazinimit dhe transportit brenda portit të kontenierëve.

Sipas dokumenteve zyrtare, të ardhurat vjetore të këtij terminali shkonin në rreth 10 milionë euro në vit. Dhe, nga kjo shumë, Autoriteti merrte rreth 20 përqind të xhiros, që llogaritej në 2 milionë euro. Të tjerat, koncesionari! Por, ndër vite, mazhoranca aktuale ka hedhur akuza për këtë koncesion, duke e quajtur “një aferë të madhe”. Në dhjetor të vitit 2017, megjithëse ishin në pushtet, PS akuzoi ish kryeministrin Sali Berisha për këtë koncesion.

Partia Socialiste, në mënyrë të përsëritur, ka denoncuar aferën e koncensionit të kontenierëve si një prej aferave më të mëdha të qeverisë Berisha. Një ditë më parë, rrjeti prestigjioz “Bloomberg” publikoi prova të pakundërshtueshme se gjysma e 250 milionë dollarëve të kontratës së lidhur midis shtetit dhe kompanisë amerikane që fitoi tenderin, iu kalua në formë ryshfeti ish kryeministrit Berisha dhe njerëzve të tij më të afër” tha në atë kohë Blerina Gjylameti, deputete e PS-së.

Pas 7 vitesh në pushtet, Ministria e Transportit dhe Autoriteti Portual fituan një gjyq për të larguar koncesionarin dhe rimorën këtë terminal. Mësohet se, që në vitin 2017, Ministria e Transporteve iu drejtua gjykatës për prishjen e koncesionit me shoqërinë “Durrës Container Terminal”, i përbërë nga shoqëritë “Kurum Shipping” dhe “Global Ports Holding”, pasi koncensionari nuk kishte përmbushur kushtet e kontratës, duke nisur nga investimet e detyrueshme deri te përmirësimi i shërbimit për operatorët.

300 mijë euro investim për të marrë 30 milionë…

Vetëm 7 muaj pasi terminali iu rikthye shtetit, Autoriteti Portual u dorëzua sërish! Sipas këtyre dokumenteve, të siguruara nga emisioni “Fiks Fare”, Porti i Durrësit ka hapur një tender në Agjencinë e Prokurimit Publik. Kësaj herë, jo me koncesion, por me objekt menaxhimin dhe operimin e këtij terminalit nga operatorë portualë privatë të specializuar për 5 vjet”.

Fondi që do t’i kalojë privatit është plot 30 milionë euro! Punonjës të Terminalit të Kontenierëve thanë për Fiks Fare se firma që e kishte nën administrim nuk kishte kryer investimet e parashikuara. Ai tha se tarifat mund të lëvizin.

Ndërkohë, Fiksi shfletoi dhjetëra dokumente të këtij tenderi, për të gjetur se çfarë do të investohej në Portin më të madh të Shqipërisë. Apo më saktë, në terminalin e kontenierëve. Rezultati ishte vërtetë befasues; fituesi do të investonte vetëm sistemin “Terminal Operating System”, për gjurmimin e anijeve.

Kostoja e këtij sistemi është vetëm 300 mijë euro. Pra, me vetëm 300 mijë euro investim, privati do të marrë plot 30 milionë euro!

Në dokumentet e tenderit nuk janë detajuar në mënyrë të qartë se çfarë kostoje vjetore ka ky teminal. Fiksi bisedoi me punonjës dhe ish-punonjës të këtij terminali, të cilët dëshironin të ishin anonimë. Ata na dhanë informacione për të gjithë koston. Sipas tyre, në terminal punojnë mesatarisht 90 persona. Dhe, kostoja vjetore e pagave, duke përfshirë edhe shpërblimet, mund të llogaritet në rreth 1 milionë euro në vit. Në terminal janë rreth 20 mjete dhe makanizma që merren me ngarkim – shkarkimin e kontenierëve. Këto mjete harxhojnë mesatarisht rreth 600 mijë euro karburant. Mjetet janë prodhuar nga viti 1998, që është më i vjetri, e deri të viteve 2017, që janë të rinjtë. Kryesisht, të gjitha janë në gjendje pune. Ndërkohë, që emergjencë kanë për goma! Për goma, vaj, filtra, apo për pjesë të tjera, kostoja maksimale vjetore mund të shkojë në 300 mijë euro. Dhe, duke llogaritur edhe vjetërsinë 100 mijë euro, në total; pagat, karburanti dhe pjesët e këmbimit të mjeteve, llogariten maksimalisht në 2 milionë euro në vit! Pra, privati pa bërë asnjë punë, apo të llogarisë edhe tarifat e kontenierëve, merr “të thata” 4 milionë euro në vit.

APD: Fituesi nuk do të investojë!

Por, a mund ta menaxhonte shteti këtë terminal? Gjatë 7 muajve të fundit, Terminali është menaxhuar nga vetë Autoriteti. Fiks Fare i kërkoi këtij institucioni se sa ka qenë xhiroja në këtë kohë. Sipas përgjigjes, “xhiroja e realizuar në periudhën shkurt-qershor 2010 është 600 milionë lekë të rinj”. Pra, të gjitha për Autoritetin.

Fiksi i kërkoi informacion për fondin e pagave dhe shpenzimeve për terminalin, ndërsa mori përgjigje se “në terminal janë të punësuar 87 punonjës me fond vjetor të pagave 124 milionë lekë”, ose 1 milionë euro. Për mirëmbajtjen, APD thotë se “kemi trashëguar nga koncesioni situatë të rënduar”, por pa shifër të saktë.

Ndërkohë, në lidhje me investimet, Autoriteti thotë se “shërbimi që prokurohet nuk parashikon investime në këtë terminal nga operatori privat”. Pra, fituesi vetëm do të menaxhojë dhe operojë, dhe jo të kryejë investime! “Kryerja e investimeve do ishte detyrimisht e parashikuar nëse do ishim në kushtet e një marrëdhënie koncesionare, ndërsa në kontrata e shërbimit nuk kërkohen investime” saktëson Porti i Durrësit.

Në këtë përgjigje, Autoriteti thotë se Sistemi i Operimit të Terminalit do të mundësohet nga privati, i cili sipas hulumtimeve të tyre kushton vetëm 30 milionë lekë të rinj! Në vijim, thuhet se “APD ka kapacitete për ta blerë”.

DCT: Kërkuam 100 mln euro në Arbitrazh

Fiks fare u interesua pranë firmës që e kishte me koncesion këtë terminal. Sipas kësaj përgjigje, Kurum thote se rrogat në këtë terminal shkonin në 1 mln euro, ndërkohe kishte fare pak shpenzime të tjera; për mirëmbajtjen periodike të terminalit shpenzoheshin rreth 50.000 euro në vit dhe për mirëmbajtjen e mjeteve rreth 80.000 euro në vit.

Ndryshe nga porti, KURUM pohon se ka bërë investime në këtë terminal, madje e ka tejkaluar edhe marrëveshjen koncesionare me disa milione euro.

“Kontrata e koncesionit parashikonte 32.5 mln $ për 35 vitet e konçesionit ndërkohë që shoqëria nga viti 2013-2019 ka kryer investimenë makineri, pajisje, IT, infrastrukturë etj. në vlerën 15 ml $. Aktualisht APD po operon këtë terminal me të gjitha mjetet e investuara nga DCT pa asnjë përjashtim dhe pa asnjë investim shtesë.

Aktualisht terminali i kontejnerëve në portin e Durrësit është marrë me forcë. DCT është në dijeni për shpalljen e një tenderi të ri për ta ridhënë me koncesion këtë terminal, por nisur nga fakti se kjo shoqëri është përballuar me shumë padrejtësi gjatë viteve, i është drejtuar gjykatës së Arbitrazhit dhe ka kërkuar një dëmshpërblim prej 100 mln euro” thuhet në përgjigjen e DCT-së.

e.sh/Dita

Football news:

Ronald Koeman: Maradona was the best in his time. Now the best Messi
PSG President acquitted of selling world Cup broadcast rights
Ter Stegen and Coutinho were not included in Barca's bid for the match against Alaves
Zidane on creating the super League: I've Heard about it, but I have enough worries. We can't even enjoy the wins
Zinedine Zidane: Benzema's Criticism won't hit Vinicius. I used to do it myself, and I was also scolded
Maradona on a gift for the 60th anniversary: The disappearance of the pandemic and the scudetto for Napoli
Barcelona will try to buy Eric Garcia again in January. The deal must be approved by the club's new President