TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural (AZHBR) njofton se, 1486 fermerë në shkallë vendi kanë aplikuar në Skemën Kombëtare 2020, “Për mbarështimin e bletarisë”.

AZHBR publikoi listat e fermerëve aplikantë që kanë aplikuar pranë saj dhe grupin e atyre që janë kualifikuar për të përfituar nga Skema Kombëtare.

Sipas AZHBR, bletaria renditet e dyta, pas blegtorisë për sa i takon numrit më të madh të aplikimeve, por edhe numrit të fermerëve përfitues.

Aktualisht rezultojnë 1486 aplikantë të kualifikuar nga të cilët do të arrijnë të përfitojnë financim 823 prej tyre.

AZHBR bën me dije se të gjithë subjektet që kanë aplikuar dhe janë sipër vijës së kualifikimit duhet të shohin statusin e tyre dhe nëse kanë nevoje që të paraqesin dokumente shtesë pranë agjencisë. Në çdo rast nëse konstatohet diçka e tillë afati për dorëzimin është data 17 korrik.

Skema Kombëtare është një ndër politikat mbështetëse financiare, që zbaton qeveria prej disa vitesh për mbështetjen e bujqësisë dhe blegtorisë në vendin tonë. Për vitin 2020 fondi i parashikuar në këtë Skemë që do të shkojë për aplikantët e kualifikuar është 744 milionë lekë. e.xh/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.