TIRANË 30 tetor /ATSH – I. Vata/-  Eksperti i Ekonomisë pranë PD-së Dorjan Teliti deklaroi sot se “në 4 vitet e fundit bletërritësit ulën numrin e koshereve”.

Në një reagim, Teliti shprehet se “i rrethuar nga statistika negative në të gjithë sektorët e ekonomisë, kryeministri Rama po përpiqet që lugën bosh të propagandës ta mbushë me gënjeshtra shoqëruar me mjalt propagandistik. Edhe pse ka 4 vite rresht që bletërritësit ulin numrin e koshereve, në kulmin e pandemisë Rama nuk u ka ofruar atyre dhe fermerëve as 10% të masës së subvencioneve që kanë ofruar vendet e rajonit”.

Ai thekson se “fakt mbetet që të gjithë bletërritësit dhe fermerët shqiptarë u përjashtuan nga skemat gjysmake të ndihmës që dha qeveria shqiptare gjatë pandemisë”.

“Bletërritësit dhe të gjithë fermerët kanë nevojë për ndihmë konkrete dhe jo tabela me ngjyra që fshehin të vërtetën e dhimbshme te fermerëve shqiptarë. Lekët për të ndihmuar fermerët janë, por qeveria dhe në ditët më të vështira të pandemisë nuk ndihmon qytetarët, por paguan për inceneratorë që nuk punojnë”, deklaroi Teliti. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.