Në Izmir, qyteti më i goditur nga tërmeti shkatërrues që ra disa orë më parë në detin Egje, vijon operacioni i shpëtimit. Nga informacionet e para zyrtare, konfirmohen deri më tani 19 viktima dhe 420 të plagosur. 17 viktima në Turqi dhe 2 në Greqi. Mes viktimave në ishullin Samos janë dhe dy minorenë, një 15-vjeçare dhe një 17-vjeçar.

Dhjetëra objekte atje janë shembur, ndërsa deri më tani është nxjerrë e gjallë nga rrënojat një grua. Të shumtë raportohet të jenë personat që kanë mbetur poshtë pallateve të shembura.

Agjencia e kërkim-shpëtimit i bën thirrje qytetarëve të mos futen nëpër banesat e tyre, ndërsa vijojnë kërkimet nën rrënoja.
Kryebashkiaku Tunc Soyer tha për CNN Turk se vetëm në Izmir janë shembur 20 godina. Presidenti turk, Reccep Tayyip Erdogan shkroi në Twitter “Shërim të shpejtë Izmir”, ndërsa premtoi ndihmë të menjëhershme për personat e prekur. “Kemi nisur punën me të gjitha agjencitë shtetërore për t’i qëndruar pranë popullit tonë”.

Tërmeti me magnitudë 6,6 ballë të shkallës Rihter goditi brigjet e rajonit Seferihisar në qytetin Izmir të Turqisë.

Sipas informacionit në faqen e internetit të Kryesisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), theksohet se tërmeti u regjistrua në orën 14:51 me kohën lokale, me magnitudë 6,6 ballë Rihter në detin Egje, 17 kilometra nga brigjet e rajonit Seferihisar në qytetin e Izmirit. Epiqendra e tij ishte me një thellësi 16,54 kilometra.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb