Albania

Tharja e kënetës së Maliqit dhe ndërtimi i regjimit komunist në periferi të Shqipërisë

Nga Artan R. Hoxha

Gjatë kohës që arkivi vendor i Korçës punonte ende, çdo ditë, diku mes orës 10 dhe 11 të paradites, punonjësit e tij shkonin për të pirë kafe në kafe-bar “Oriental”, që ndodhej përball, në krahun tjetër të rrugës. Ritualit të përditshëm në këtë kafene, muret e së cilës ishin të mbushura me çifte, pushkë, revolver të ndryshkur, koka drerësh e derrash të egër, si dhe i zbukuruar me sorkadhe dhe dhelpra të balsamosura, i bashkohesha edhe unë.

Në lokalin gjysmë të errët, ulur rreth tryezave të vogla sipër të cilave rëndonte dekori i trofeve të shumtë të gjahut, natyrshëm që bisedonim edhe për Maliqin. Isha shumë i interesuar të dëgjoja sa më shumë mendime rreth temës që po punoja.

Një ditë, këtu, tek Orientali, njëra nga punonjëset e arkivit me tha: “kur e shikon fushën e Maliqit nga lart, sidomos kur kthehesh nga Liqenasi, ajo duket si një qëndismë e bërë më dorë”.

Ishte shtator dhe e vjeshta sapo kishte filluar të përparonte. Poshtë vështrimit të rreptë të Malit të Thatë, nën qiellin e kaltër dhe diellit të ngrohtë të verës së vonë, kuadratet dhe rripat e shumtë drejtkëndorë të mbushur me nuanca të shumta, krijonin përshtypjen sikur me të vërtetë fusha e Maliqit të ishte mbështjellë nga ndonjë pëlhurë gjigande e punuar me dorë.

Dhe në fakt, peizazhi që shtrohej përpara syve të kundruesit ishte punuar vërtetë nga duart e mijëra njerëzve që djersitën aty për vite. Ky mendim, i thënë ashtu shkarazi, më bëri të mendohem. Fusha e Maliqit u shpalos përpara syve të mi si një tekst, në të cilin ishte shkruar jo vetëm historia lokale e fushëgropës së Korçës; në të është skalitur historia e transformimit socialist të Shqipërisë.

Aty, në Shqipërinë juglindore, imazhi me të cilin njerëzit lidhnin fushën e Maliqit nuk ishte domosdoshmërish ai i tunelit të Bunk’Artit në qendrën politike të vendit. Si publiku ashtu edhe kujtesa nuk janë uniforme, por të copëtuara. Individë të vendosur në pozicione të ndryshme në piramidën shoqërore në kryeqytet dhe në periferi nuk kanë qëndrim të njëjtë ndaj të shkuarës, të tashmes, dhe të ardhmes.

Ata që kontrollojnë mekanizmat institucionalë dhe përcaktojnë kornizën diskursive brenda së cilës hartohet kujtesa historike dhe ata që përjetojnë realitetin në terren nuk e interpretojnë domosdoshmërish njësoj transformimin e peizazhit pas tharjes së kënetës. Kishte nga ata, përfshi këtu edhe politikanë lokalë, që e kritikonin tharjen e kënetës.

Kritikët, që të gjithë bashkëmoshatarë të mi, duke imituar dhe ri interpretuar sipas filtrave vendorë ndjeshmërinë ekologjike të shtresave të mesme perëndimore, ankoheshin se tharja e moçalit kishte prishur ekosistemin dhe ashpërsuar klimën. Por kur i pyesja për malarien dhe përmbytjet periodike të fshatrave përreth kënetës, ata nuk gjenin dot përgjigje të kënaqshme. Ajo që ka më shumë rëndësi në këtë rast, është se ata përfaqësonin mendimin e brezit të ri, të një shtrese urbane që ishte pozicionuar shumë mirë brenda burokracisë shtetërore. Fshatarët e zonës së Maliqit përfaqësonin për ta një univers tjetër, shumë pak të njohur.

Një grup tjetër, që i kishin kaluar të pesëdhjetat, flisnin me një lloj krenarie për cilësinë e tokave të fushës dhe rendimentin e tyre. Ata më tregonin se si prindërit e tyre u flisnin për ethet e shumta të malaries. Kuptohet që breza të ndryshëm kanë largësi jo të njëjtë kohore nga ngjarjet historike dhe rrjedhimisht mënyra se si këto kujtohen nuk është e ngjashme. Sidomos në kohët tona.

Kur pata rastin të flisja me disa pensionistë nga Maliqi, njëri prej tyre kujtonte se në vitin 1946 kur ishte ende fëmijë, kishte parë, ndërsa mbante të atin për dore, pushkatimin dhe varjen e inxhinierëve. Ai besonte se të ekzekutuarit ishin me të vërtetë sabotatorë, e madje deklaroi me mjaft bindje se unë e paragjykoja si komunist. Dikush tjetër më tregoi duke qeshur se i ati tij, i mobilizuar me forcë nga aparati shtetëror i kohës, u dënua me tre muaj burg si sabotator sepse kishte braktisur vendin e punës dhe ishte kthyer në fshatin e tij.

Në qytetin e Maliqit kujtesa kolektive rrotullohej rreth kombinatit ndërsa tharja e kënetës qëndronte në periferi të bisedave të mia me ta. Prodhimi i sheqerit përbënte një krenari të dukshme për banorët e qytezës, të cilët vajtonin mbylljen e kompleksit.

Kishte edhe nga ata që mendonin ndryshe. Në klimën e polarizuar politike shqiptare, mbështetës të së djathtës, pas rënies së regjimit rrëmbyen varetë dhe copëtuan pllakatin që përkujtonte përurimin e fabrikës në vitin 1951. Asgjësimi i gjurmëve të së shkuarës nuk është eskluzivitet vetëm i kryeqytetit.

Në kujtesë mbetet vetëm ajo që nuk resht së dhemburi, ka thënë Niçja. Dhe më të drejtë. Këtë postulat e vërtetoja thuajse çdo ditë gjatë punës time kërkimore në Korçë. Jo se në rrethinat e Korçës njerëzit ishin të pandjeshëm ndaj asaj që kishte ndodhur gjatë tharjes së kënetës; thjesht ata kishin të tjera përparësi dhe ndjeshmëria e tyre përcaktohej nga faktorë të tjerë ndaj të cilëve shumëkush i vendosur jashtë rrethit administrativ ishte shpërfillës.

Rrëfimet e shumta që dëgjoja, jo vetëm që komplikonin historinë e transformimit të fushës së Maliqit, por tregonin qartë se banorët e zonës që nuk ishin të përfshirë në aparatin e pushtetit, e interpretonin periudhën 1945-1990 dhe atë që fillon qysh prej vitit 1991 krejt ndryshe nga ata që  në Korçë dhe Tiranë kontrollojnë pushtetin dhe bashkë me të edhe narrativën që kundërvë të shkuarën me të tashmen mbi bazën e valencave negative dhe pozitive.

Mënyra se si njerëz të ndryshëm i qasen transformimit të fushës së Maliqit shpreh përplasje të natyrës politike. Nostalgjia për të kaluarën apo besimi se të ekzekutuarit ishin ose jo sabotatorë, nuk shpreh medoemos shpëlarje truri nga ideologjia e regjimit komunist. Në më të shumtën e rasteve, rrëfimet konfliktuale për të shkuarën janë deklarata të karakterit politik mbi atë që e kaluara dhe e tashmja përfaqësojnë për agjentë të ndryshëm historikë.

Sikundër thekson edhe historiani Stivën Haj mënyra se si njerëz apo grupe të caktuara e kujtojnë të kaluarën ndikohet edhe nga fakti se si ata apo lokalitetet e tyre janë të pozicionuar në raport me shpërndarjen e resurseve ekonomike dhe të surplusit të një shoqërie.

Ato që dëgjoja në Korçë e Maliq mbi tharjen e kënetës shpesh i kundërviheshin monopolit të qendrës për të interpretuar historinë e periudhës komuniste si dhe përcaktuar të ardhmen duke shpërfillur njerëzit e thjeshtë dhe aktorët e margjinalizuar lokalë.

Nëse, le të themi, pas disa shekujsh, një grup arkeologësh do të vendoste të gërmonte në fushën e Maliqit për të nxjerrë nga thellësia e tokës historinë e groposur të kësaj rrafshnalte çfarë do të zbulonin ata? Pyetja bëhet më se e ligjshme po të marrim parasysh dobësinë e madhe që strukturat e shtetit shqiptar të ditëve tona kanë shfaqur rregullisht për të prishur dokumentacionin arkivor.

Ndoshta, kultura materiale do të mbetet burimi kryesor për të kuptuar historinë e Shqipërisë së shekullit XX. Me skrupullozitet të spikatur dhe profesionalizëm për tu pasur zili, ata do të zbulonin se rrafshnalta e Korçës, me një lartësi mesatare prej 820 metrash nga niveli i detit—të shpresojmë se niveli i ujërave të kripura të mos jetë ngritur deri atëherë—dhe e rrethuar nga Mali i Thatë dhe masivi i Moravës në drejtimin lindje-juglindje dhe nga ato të Voskopojës, Oparit dhe Gorës në jugperëndim-perëndim u formua në periudhën e Pliocenit, diku midis dy dhe dy milion e gjysmë vjet me parë.

Këta studiues do të zbulonin se pjesa veriore e kësaj fushëgrope me sipërfaqe prej 300 kilometrash katrorë dhe gjatësi 35 kilometra dhe gjerësi që lëviz nga 1 në 14 kilometra në drejtim jug-veri, dikur mbulohej nga një kënetë. Të pajisur me sonda dhe teknologji të fjalës së fundit të së të ardhmes, arkeologët do të kuptonin se edhe pse në pamje të parë rrafshnalta është krejt e sheshtë, në pjesën veriore të saj ajo ka aktivitet fundosës tektonik. Këtu, fusha arrin 812 metra mbi nivelin e detit. E kthyer në një fund kazani, kjo pikë tërheq ujërat e lumit Devoll—shpresojmë të mos jetë tharë deri atëherë—të cilave u bashkohen edhe ato të përrenjve të maleve përreth duke formuar një liqen te vogël. Me kalimin e kohës kjo cekëtinë u kthye në një kënetë.

Më pas ujërat gjenin rrugën drejt Adriatikut duke hyrë në masivin e Gorës nëpërmjet grykës së Maliqit. E teksa do të gërmonin, këta arkeologë të së ardhmes do të zbulonin se brigjet rreth kënetës kishin qenë të banuara me ngulime njerëzore qysh prej epokës së gurit.

Në matriksin stratigrafik, ata do të identifikonin ndryshime të ngadalshme që do të shtriheshin për shekuj, deri sa, në një pikë të caktuar do të dallonin në shtresat ranore, argjilore dhe trofike, një rritje të ndjeshme të shpejtësisë së transformimeve.

Aparaturat e tyre shumë të sofistikuara do ta përkthenin në njësi kohe vendosjen vertikale të gjetjeve arkeologjike dhe do përcaktonin se thyerja kishte ndodhur në shekullin e njëzetë të erës sonë. Diku nga mesi i këtij qindvjeçari do të kapej edhe pika e thyerjes dhe shkalla e ndryshimeve do të bëhej rrënjësore. Me njohuri të mira historike, ata do të dilnin në përfundimin se rasti I Maliqit nuk ishte i izoluar por përputhej me atë që studiuesit e quajnë  momenti i përshpejtimit të historisë.

Në vitet që pasuan Luftën e Dytë Botërore, ritmi i zhvillimeve historike pësoi një rritje të ndjeshme në krejt kontinentet. Ajo që kishte nisur në shekullin e nëntëmbëdhjetë në disa vende të Europës veriperëndimore tashmë u bë një dukuri botërore. Nga ky çast, thuajse në krejt globin, gjithçka ndodhte më shpejt. Kudo pati një përshpejtim të historisë, një rritje të ndjeshme të ritmit të ndryshimeve.

Bonifikimi i kënetës së Maliqit ishte pjesë e këtyre dinamikave. Aty, bashkë me moçalin u zhdukën edhe anofelet e malaria dhe fusha u përshkua nga kanale të shumta vaditëse. U zhdukën edhe shtëpitë me qerpiç të mbuluara me çati kashte të gjysmatarëve, tipologji banimi kjo, që arkeologët do të zbulonin se kishin ekzistuar qysh ne epokën e bakrit.

Të njëjtin fat pësuan edhe kullat e gurta të bejlerëve. Shtëpitë me tulla të pjekura nisën të bëhen normë në fshatrat e fushës ndërsa toka bujqësore që dikur ishte e copëzuar në ngastra të vogla dhe të çrregullta, komunistët i kolektivizuan dhe i ndanë në parcela gjigande të kufizuara nga kanale kulluese.

Nëse do të ndiqnin rrjedhën drejtvizore të lumit, gjurmuesit e të shkuarës do të zbulonin edhe rrënojat madhështore të një njësie të madhe industriale. Dhe nëse do të ishin me fat dhe do të gërmonin në vendin e duhur, do të kishin mundësinë të gjenin edhe gjurmë melase dhe sheqeri.

Nga datimi i artefakteve, ata me siguri do të përcaktonin se kjo ishte një rafineri që u ngrit pak a shumë në kohën e tharjes së kënetës. Veshjet po ashtu ndryshuan. Vendin e shajakut e zunë të linjtat, pantallonat zëvendësuan shallvaret, këpucët dhe çizmet zëvendësuan opingat, dhe si burrat ashtu edhe gratë nisën të mos e mbulonin kokën me kapa apo shami.

Fshatarët filluan të mobilonin shtëpitë e tyre me tryeza, karrige, divane, krevate, si edhe radio e televizorë. Këto ndryshime nuk u kufizuan vetëm tek orenditë dhe teshat. Në fushën e Maliqit u shfaqën edhe përfaqësues të Revolucionit të Dytë Industrial që ushqejnë motorët e tyre me djegie të brendshme me lëndë fosile.

E megjithatë, përkrah traktorëve, autokombajnave, kamionëve, shfaqen qartë gjurmët e kuajve që tërheqin me forcën e muskujve të tyre karroca të mbushura me bar, perime dhe në kohë sezoni panxharsheqeri dhe shalqinj.

Ndërsa buajt e mëdhenj të ujit, që dikur zhgërryheshin plot madhështi në baltën e saj dhe që në qerret e drunjta dukej sikur tërhiqnin ngadalë dhe me mospërfillje peshën e përjetësisë, u pakësuan ndjeshëm deri sa u zhdukën plotësisht.

Arkeologëve tanë nuk do t’u duhej shumë punë të kuptonin se këto ndryshime radikale i takonin një procesi global transformimesh, të cilat udhëhiqeshin nga bindja se zotërimi i natyrës dhe makineritë industriale ishin çelësi i zhvillimit. Pa ndonjë mund të madh—ose kështu mendoj unë të paktën—ata do të dilnin në përfundimin se bonifikimi dhe ndërtimi i rafinerisë së sheqerit krijuan kornizën ekonomike dhe infrastrukturore të transformimeve të mëdha materiale në fushën e Maliqit.

Ndryshimet e mësipërme shkaktuan edhe transformime sociale. Sfida me të cilën do të ballafaqoheshin studiuesit e së ardhmes do të lidhej me rrugët se si do të interpretonin gjetjet në mënyrë që të kuptonin proceset sociologjike dhe historike që i kishin krijuar ato. Kuptohet që këta arkeologë të së ardhmes do ta kishin kapërcyer prej kohësh paradigmën që shpjegonte se çdo thyerje kulturore shënonte ndonjë dyndje dhe zëvendësim popullatash të vjetra me ardhacakë.

Ata ishin të vetëdijshëm se transformimet rrënjësore, edhe pse asnjëherë nuk i këpusin plotësisht fijet me të shkuarën, janë edhe rezultat i revolucioneve politike dhe teknologjike.

Një nga pyetjet që do t’i mundonte ata do të ishte se si në këtë vazhdë ndryshimesh të mëdha ku e reja zuri plot vrull vendin e të vjetrës, individë të rinj zëvendësuan ata të vjetër në strukturat e pushtetit? Si ndodhi kjo? Në çfarë mënyre tharja e kënetës, çka ripërcaktoi raportin e njeriut me natyrën dhe vjeljen e burimeve të saj, dhe ndërtimi i kombinatit të sheqerit ndryshoi hierarkitë shoqërore në fushën e Maliqit? E më konkretisht, si ndodhi kjo gjatë momentit kryesor që përcaktoi strukturën ekonomike të fushës?

Artan R.Hoxha

Çfarë dinamikash shoqërore dhe politike pati procesi i mënjanimit të së shkuarës nga e reja në momentet kulmore të bonifikimit dhe ndërtimit të rafinerisë? Si u shpalosën ato në çastin e zbatimit të këtij projekti revolucionar që synonte shndërrimin e plotë të rajonit, si të peizazhit ashtu edhe të njerëzve? Ndryshe nga arkeologët hipotetikë, ne, për fatin tonë të mirë zotërojmë dokumente dhe e dimë se çfarë ka ndodhur me një saktësi shumë më të madhe.

Pasi na ndihmuan me përshkrimin fizik të rajonit dhe mënyrën se si kushtet gjeografike diktuan ndryshimet në jetën materiale dhe shoqërore, ne tashmë, I lëmë këta argonaut të së ardhmes të mundojnë veten me pyetje që ndoshta nuk do munden t’u përgjigjen kurrë. Ata nuk do të na duhen më. Të armatosur, përpos të tjerash, edhe me burime arkivore, ne do të lëvizim sipër tuneleve nëntokësore apo shtresave që mbulojnë artefaktet e kohërave të kaluara dhe pa pritur të kalojnë shekuj, do t’i kthejmë përgjigje pyetjeve të mësipërme.

* * *

A ka ndonjë shembull më të mirë se sa tharja e kënetës për të përuruar fillimin e një regjimi revolucionar dhe modernizues që kërkon të ndryshojë rrënjësisht fytyrën e vendit dhe të shoqërisë? A ka për forcat politike radikale ndonjë simbol më të mirë se sa moçali për për të etiketuar të shkuarën si të kalbëzuar, mjerane dhe të korruptuar? A ka mjet figurativ më të goditur për diskursin legjitimues të përparimit se sa tharja e batakëve? A ka mënyrë më të mirë për të skalitur në hapësirë lëvizjen përpara të historisë se sa ndryshimi i peizazhit, zhdukja e kallamishteve dhe zëvendësimi i tyre nga kallëzat e grurit?

A ka metaforë më të përsosur për të shprehur luftën midis të resë dhe të vjetrës, asaj që këmbëngul të qëndrojë në vend dhe asaj që kërkon ndryshim, se sa tharja e ligatinave?

Për revolucionarët, tharja e ujërave të ndenjura simbolizon krijimin e një tabula rasa ku ata mund të shkruajnë një tekst krejt të ri. Është një tokë e virgjër, e gatshme për të mbjellë në të farën e botës së ardhshme. Në ligjërimin e progresit, premtimi i të resë është antitezë e kënetës. Në këtë botë të re, uji do rrjedhë gjithmonë, e prandaj është edhe i kulluar—një shprehje figurative kjo, që Enver Hoxha e përdorte me shumë qejf.

Kjo do të ishte një botë që, ndryshe nga ajo e përfaqësuar nga këneta, do të krijonte hapësira dhe mundësi për përmbushje dhe përparim. Jo rastësisht, në përfytyrimin e komunistëve shqiptarë tharja e moçalishteve përfaqësonte luftë brezash, një përplasje mes kohësh të ndryshme, ritmeve dhe interesave kundërshtare. Kënetat dhe bonifikimet shërbyen si metafora për atë se si ata e interpretonin të shkruarën e Shqipërisë, programin e tyre për të ardhmen e saj, dhe mitologjinë mbi pengesat që duhet të kapërcenin për përmbushjen e saj.

Por në Maliq, del qartë edhe roli që kontrolli mbi dijen luajti në përpjekjet e PKSh-së për të konsoliduar dhe mbajtur pushtetin që mori nëpërmjet luftës. Shumë shpejt autoritetet komuniste kuptuan se pushteti nuk dilte vetëm nga gryka e pushkës – sikundër predikonte Mao Ce-Duni. Mbajtja dhe legjitimimi i tij vareshin gjerësisht prej aftësisë për të transformuar dhe zhvilluar vendin. Kjo sipërmarrje nuk kërkonte vetëm partizanë, përgjithësisht të rinj fshatarë me arsim fare të kufizuar. Modernizimi i Shqipërisë, një mënyrë tjetër kjo për të thënë “ndërtimi i socializmit”, kërkonte specialistë.

Sfida qëndronte në konfliktin ndërmjet besnikërisë politike dhe aftësisë, sfidë kjo që e kishte edhe Zogu, i cili ankohej që nuk gjente dot njerëz që të ishin njëkohësisht profesionistë të zotë dhe besnikë ndaj tij.

Për strukturat komuniste ky problem bëhej edhe më i mprehtë kur dijen e kontrollonin njerëz që ato nuk i cilësonin besnikë. Ky konflikt shfaqet me të gjithë fuqinë e tij në Maliq. Ky studim do të eksplorojë se si regjimi komunist u përpoq të zgjidhte këtë rebus nëpërmjet një procesi që njëkohësisht ndëshkonte dhe ngrinte në detyrë njerëz, që e lidhnin pozicionin e tyre në piramidën shoqërore, me shërbimet ndaj Partisë – jo shumë ndryshe nga mbushja e aparatit burokratik me militantë partiak sot.

Nga ana tjetër historia nuk fillon dhe nuk mbaron me momente kulmore. E vërteta është se studimi i të jashtëzakonshmes, i atipikes heq vëmendjen nga rastet e rëndomta, të zakonshme dhe të përditshme që lejojnë hetimin e institucioneve më të qëndrueshme sociale, politike, ekonomike dhe kulturore të një shoqërie.

—-

Artan R. HOXHA sapo ka publikuar studimin “Tharja e kënetës së Maliqit dhe ndërtimi i regjimit komunist në periferi të Shqipërisë”. Shënimi i mësipërm është pjesë e hyrjes së këtij libri. Autori është kërkues shkencor në Departamentin e Historisë Bashkëkohore në Institutin e Historisë në Akademinë e Studimeve Albanologjike në Tiranë si dhe kërkues shkencor i atashuar pranë Qendrës së Historisë Botërore në Universitetin e Pittsburgh-ut

Vijon…

Football news:

Nicola Amoruso: Under Spalletti, Napoli became an adult team. De Laurentiis can count on the championship this year
Mourinho is one of the candidates for the post of Newcastle coach. The Saudis believe that he will improve the image of the club
Sulscher on Rashford's social activities: Now he should prioritize football
The Prince of Cambodia refused to acquire Saint-Etienne
Dani Alves: If Barcelona thinks they need me, it's a matter of one call. I can still be useful
Lewandowski wants to move to Real Madrid. He will ask Bayern for a transfer (As)
Sarri about the calendar: Football is no longer a sport, but a show from which they are trying to squeeze as much money as possible