Një vendim nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka nxjerrë nga sistemi i drejtësisë të ish-kreut të gjykatës së Tropojës, Dritan Seci.
Bëhet me dije se ky vendim është marrë gjatë mbledhjes së sotme pasi Seci ka pasur probleme me pasurinë. Ai u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në mars të vitit të kaluar pasi nuk justifikoi pasurinë.
KPK ngriti dyshime për fshehjen e një apartamenti si dhe një borxh prej 20 mijë eurosh në emër të gjyqtarit Dritan Seci, mirëpo gjyqtari nuk ishte dakord duke e apeluar vendimin, megjithatë Kolegji e la në fuqi shkallën e parë duke e nxjerrë nga sistemi.
Vendimi i plotë
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Ardian Hajdari relator, Ina Rama, Natasha Mulaj, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.33/2019, datë 15.07.2019, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Dritan Seci, kundër vendimit nr. 114, datë 11.03.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
- Lënien në fuqi të vendimit nr. 114, datë 11.03.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Dritan Seci.
- Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
h.b/dita