Akademiku i njohur Artan Fuga, i ftuar përmes një lidhje “Skype”, në studion e emisionit “Real Story”, në “News 24”, i bëri një tablo të përgjithshme rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit.

Ai tha se elektorati i ty dyja partive, PD – PS, në numra, ishin thuajse të njëjta, por diferencën sipas tij e bënë detajet. Sipas Fugës, mazhoranca përdori të gjitha asetet e qeverisë për zgjedhjet, siç janë pandemia e menaxhimi i rindërtimit pas tërmeteve tragjike.

Ndërsa nga krahu tjetër, ai tha se PD nuk ka asnjë faj për politikat e ndjekura në Shqipëri. Sipas tij, Partia Demokratike do të kishte një hov më të madh votash nëse nuk do të përdoreshin sipas tij aparatet shtetërore nga mazhorancda, edhe nëse programi i PD do të ishte më i mirë.

“Kisha tre elementë që më bënin të përgjigjesha e të kisha dilema në lidhje me zgjedhjet. Nuk e dija sa ishte rezultati, e dija që do të ishte një garë sikurse thuhet në çiklizëm rrotë më rrotë. Kisha tre ose katër arsye, vitin e fundit, kam marrë pjesë në disa anketime që bëheshin për çështje sociale, e aty kishte disa pyetje certifikuese. Më pas dy pjesët Partia Demokratike dhe aleatët e PS kishin një popullsi që ishin pak a shumë aty aty. Arsyeja e dytë është që në analizën time, po të studiosh segmentet e politikës, shikoja që ishin pro Edi Ramës, të lidhur me statuskuo. Por një pjesë nuk duan ndryshimin. Ata janë nëpunësit publik, ata që janë në pushtetin lokal, një pjesë e atyre që jetojnë me pensione, punëtorë e shumë sipërmarrjeve që kanë të bëjnë me presione nga pronarët. Analiza e tyre më rezulton që ka një pjesë të popullsisë që thotë, interesi im është të mbroj atë që kam. E treta që kisha është që duke parë pak fushatën, fushatë e cila u bë në kushtet që qeveria përdori shumë asetet qeverisëse, siç ka të bëjë me vaksinat, menaxhimin e tërmetit. Por edhe elemente të tjera që qeveria ka si avantazhe të tjera.

Gjatë fushatës nuk pashë, një mobilizim masiv të elektoratit kundër qeverisë që të kishte një shpërthim që në sy të jep shenjën që një vlim i madh është, ndofta për arsyen se një pjesë e shqiptarëve kanë zgjedhur emigrimin. Opozita nuk është përgjegjëse në asnjë milimetër për politikat që ndiqen në Shqipëri, për gjendjen ekonomike, sociale. Në këtë aspekt PD s’ka përgjegjësi. Nëse do të thoshim që a mundet PD të bënte që popullsia, elektorati, të kishte një mobilizim më të mirë për t’u shprehur, në mënyrë më aktive, të kishim rol në fushatë.

Fundi fundit e për të marrë vota, unë jam i mendimit me sinqeritet, them që për PD kishte një rezervuar votash që ajo nuk e mori për dy arsye. E para ka të bëjë me presionin e aparateve shtetërore ka qenë i fuqishëm me të gjithë veglat e veta, por së dyti mendoj që programi i PD, sjellja e lidershipit të PD, sigurisht, nuk ishte perfekte, edhe ajo kishte mangësitë e veta”, u shpreh akademiku.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb