Albania

“100 vjet nga udhëtimi i Justin Godart në Shqipëri”/ Konferencë shkencore në Akademinë e Shkencave

TIRANË, 24 qershor /ATSH/ U mbajt sot në Akademinë e Shkencave konferenca shkencore  “100 vjet nga udhëtimi i Justin Godart në Shqipëri”.

Akad. Pëllumb Xhufi, kryetar i seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, përshëndeti konferencën dhe foli për rolin e madh që ka luajtur Justen Godart (Zhysten Godar) (26 nëntor 1871 – 12 dhjetor 1956) në një kohë të vështirë, kur Franca kishte synime dashakeqe dhe bënte që imazhi i Shqipërisë të rrethohej nga një propagandë e dëmshme dhe paragjykuese e shumë rrymave politike lindore e perëndimore.

Akad. Xhufi tha se Justin Godart ngriti fort zërin që Shqipëria të pranohej në Lidhjen e Kombeve.

“Në shënimet e tij për Shqipërinë në vitet 1920, Godart i mbronte shqiptarët si njerëz që e kishin vetëdijen të përparuar dhe luftonin për pavarësinë e tyre si çdo popull tjetër. Ai shkruante për cilësitë e mira të shqiptarëve dhe vëllazërinë midis myslimanëve, ortodoksëve dhe katolikëve, ku e përshkruante mendësinë fetare të lidhur me cilësitë europiane të tolerancës”, tha Xhufi.

Akad. Xhufi tha se Godart mbrojti çështjen e Shën Naumit në Lidhjen e Kombeve, dhe e quajti fatkeqësi që fuqitë e mëdha ia dhanë Serbisë pa të drejtë. Më 24 maj 1921, Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve falë edhe kontributit të Justen Godart.

Akad. Xhufi përmendi më tej fakte të rëndësishme që dalin në dritë në ditarët e Godart për figura të njohura dhe të mëdha të kombit si Ahmet Zogu, Fan Noli, Gjergj Fishta, e të tjerë.

Për rolin e Godart në pasurimin e arkivave shqiptare foli dr. Ardit Bido, Drejtor i AQSH-së.
Prof. as. dr. Esmeralda Kolaneci – Universiteti i Tiranës, foli për raportin e hartuar prej Godart me 11 kapituj që përmbante argumente realiste.

“Në materien e tij deduktohej se Shqipëria ishte viktimë e ambicieve territoriale të fqinjëve të saj dhe përgjegjësia për vështirësitë që shfaqeshin për zgjidhjen e situatës i atribuohej politikës kundërshtuese të selive qendrore të Athinës dhe Beogradit. Edhe pse politikani francez ishte i vetëdijshëm se jo të gjithë do të mirëprisnin dhe pranonin përmbajtjen e raportit, dhe se kritikat apo kontestimet do të ishin intensive, ai preferoi të qëndronte krah Shqipërisë dhe të vërtetës së saj, i bindur se vizioni i tij për çështjen shqiptare apo për të drejtën dhe parimet juridiko-ndërkombëtare do të prevalonin në çdo interpretim dhe vendim të asaj që quhej “bërthama vendimmarrëse” e diplomacisë europiane”, – tha Kolaneci.

Prof. as. dr. Frederik Stamati mbajti një kumtesë për dhuratat e qeverisë franceze dhe Muzeut të Luvrit për Muzeun Kombëtar në vitin 1923 dhe flamurin që ngriti Themistokli Gërmenji në 1916-ën për të shpallur autonominë e Korҫës, që e solli në Shqipëri Justin Godart.

Stamati citoi kujtimet e Godart për ceremoninë e dorëzimit të flamurit kryeministrit të kohës Pandeli Evangjeli.

Ai citoi dokumente dhe proceverbale të kohës që dëshmojnë ngjarjen dhe përmendi më pas sesi u dorëzuan, kur u inagurua Muzeu Kombëtar, nga qeveria franceze 33 objekte porcelani nga të Sevrës, skulptura, pjata dekorative, vazo, etj., që i solli dhe i dorëzoi Justin Godart. Ai solli edhe 36 copë gravura të dhuruara nga Muzeu i Luvrit, tha Stamati ndër të tjera.

Justen Fransua-Pierre Godart lindi në Lion në vitin 1871. Ai ishte përfaqësues i senatit francez dhe anëtar i Misionit të Lidhjes së Kombeve në vitin 1912 për Ballkanin; kryetar i Fondacionit “Kyri”, deputet i zgjedhur qysh në vitin 1906 e deri kur u mbyll parlamenti në vitin 1940 në Francë, më parë Ministër i Punës dhe i Higjienës në vitin 1924. Me rastin e 25- vjetorit të Pavarësisë të Shqipërisë në vitin 1937 mbreti Zog e ka dekoruar Urdhrin e Skënderbeut.

Godart ishte i zgjedhur nga miqtë francezë të Shqipërisë, president nderi i shoqatës Francë-Shqipëri. Presidiumi i Kuvendit Popullor e ka vlerësuar J. Godart duke e dekoruar me “Urdhrin e lirisë të klasit të parë”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Football news:

Fantastic story of a surfer from Australia: he won bronze after a severe skull injury (he couldn't even walk)
Aguero underwent a course of stem cell treatment to restore the cartilage of the knee joint
Mills on Varane at Manchester United: I'm not sure that he will be like van Dijk or Dias. There are 6 difficult matches in La Liga, not counting the Champions League
Memphis Depay: I don't care if they call me a rebel. Suarez won a lot not because he is the nicest person on the field
Barca will not have to register Messi as a newcomer. He will be able to work at the training camp without signing a contract
Petkovic headed Bordeaux. He worked with the Swiss national team since 2014
Chelsea may include Zouma in the deal with Sevilla for Kunde