Bashkia e Tiranës ka publikuar vendimin e Këshillit si kundër përgjigje për denoncimin e ish-deputetit të PD, Gent Strazimiri nga Baldushku i cili pretendonte se familjeve nuk po iu rindërtohen shtëpitë me qëllimin për t’u përdorur për fushatë teksa shtoi se dhe të paktën 2 vite nuk do kenë banesat e tyre individuale.

Me anë të vendimit, Bashkia tregon se familjes Shabanaj, saktësisht dy vëllezërve Mersin e Genc Shabanaj më 16 dhjetor të 2019 i është akorduar dëmshpërblimi prej 3 milionë lekësh për tërmetin e parë të 21 shtatorit 2019.

Ndërkohë për tërmetin e dytë të 26 nëntorit vëllezërve Shabanaj, sipas Bashkisë Tiranë, i është miratuar rindërtimi i dy shtëpive. Po ashtu Bashkia thekson se ndonëse vëllezërvit Shabanaj jetonin në shtëpi, për shkak se ishin du kurora, do t’i bëhen dy shtëpi të ndryshme.

Si të mos mjaftojnë montazhet dhe inskenimet mashtruese me familjet e prekura nga tërmeti i rëndë i 26 Nëntorit 2019, sot Lulzim Basha dhe Partia Demokratike i servirën qytetarëve të Tiranës fytyrën e ish deputetit që u kap në flagrancë me patllake në dorë, duke luftuar kundër Këndit të Lodrave të fëmijëve te Liqeni, për të transmetuar videomontazhin qesharak të radhës e duke përdorur për fushatë fatkeqësinë e familjes Shabanaj nga Baldushku.

Për të bërë transparencë para qytetarëve të Tiranës dhe për të vërtetuar edhe njëherë me fakte, e jo me kamera HD e spote publicitare për fushatë siç bën Lulzim Basha, se qeveria dhe bashkia nuk kanë lënë pa trajtuar asnjë familje të prekur nga dy tërmetet e vitit të kaluar, sqarojmë se:
– pas tërmetit të 21 Shtatorit, familja e Mersin dhe Genc Shabanaj është dëmshpërblyer me Vendim të Këshillit Bashkiak Nr. 152, Dt. 16.12.2019 në shumën 3 milionë lekë.
– pas tërmetit të 26 Nëntorit, familja është strehuar në konteiner dhe gjatë pandemisë është ndihmuar vazhdimisht me ushqime nga bashkia dhe Njësia Administrative. Aktualisht, dosja e familjes Shabanaj është trajtuar nga Drejtoria e Rindërtimit, e cila ka miratuar rindërtimin e dy shtëpive, për të dy vëllezërit Shabanaj, duke qenë se në shtëpinë e prishur nga tërmeti i Nëntorit 2019 kanë jetuar dy kurora”, thuhet në reagimin e Bashkisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb