TIRANË, 20 prill /ATSH – I. Vata/ Kryeministri Edi Rama deklaroi se, “ne kemi sot projekte, financimet dhe kompanitë për të investuar 10 miliardë euro, për të hapur katër porta nga qielli, 4 porta nga deti për Shqipërinë”

I ftuar në një emision televiziv Rama tha se, “Shqipëria sot është në kushte optimale për të menduar se tani mund të bëjë një ngjitje në një nivel tjetër, sepse janë hedhur baza të rëndësishme në të gjitha planet”.

“Pandemia po kalon. Drita në fund të tunelit të pandemisë po zmadhohet çdo ditë dhe jemi në kushte kur ta bëjmë diellin të shkëlqej jo vetëm për turistë dhe as për ata që kanë mundësi por dhe të ngroh çdo familje duke i dhënë mundësinë të përfshihet në një rritje ekonomike për të gjithë dhe jo vetëm për disa. Nuk është slogan por është realitet, sepse po të mendosh ne kemi sot projekte, financimet dhe kompanitë për të investuar 10 miliardë euro, për të hapur katër porta nga qielli, 4 porta nga deti për Shqipërinë dhe dy porta të reja për mallrat në Vlorë dhe në Durrës”, theksoi Rama.

“Mjafton të mendosh se me investimet që po bëjmë me parqet fotovoltaike me energji diellore, që kanë nisur me Skavicën në veri, me TEC-in e Vlorës në Jug si portë e hyrjes e gazit të lëngshëm, falë marrëveshjes me qeverinë amerikane dhe falë hyrjes në Shqipëri të dy nga kompanitë më të mëdha të botës, për ti bërë këto ta bëjmë Shqipërinë eksportuese neto të energjisë. Këto janë gjera që shënojnë një epokë”, tha ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.