TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Programi EU4Culture vijon me projekte të tjera restaurimi dhe rijetësimi. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti njoftoi sot se pas tri kantiereve të para, të tjera site presin t’i nënshtrohen restaurimit dhe rijetësimit.

Kështu, në mbledhjen më të fundit të komitetit drejtues të programit EU4Culture, me ambasadorin e BE-së në Tiranë,  Luigi Soreca e përfaqësues të UNOPS u prezantuan sitet e tjera, ku pritet të nisë puna në muajin dhjetor.

Bëhet fjalë për Muzeun Etnografik në Krujë; urën e Kurçajt, Kullën Veneciane; Muzeun Etnografik në Kavajë; Hamamin në Durrës dhe Teatrin e Kukullave.

Po ashtu, Margariti njoftoi se u mor vendimi për zhvillimin e projektit të konservimit dhe rijetësimit për Kalanë e Ishmit, rrënojat e Kishës së Shën Marisë në Mamurras; ndërtesën e ish- të Persekutuarve Politikë, Arqipeshkëvisë në Durrës dhe godinën e Ministrisë së Kulturës. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.