Albania

Hajdutët e tokave dhe avokatët e tyre politikë! Gjyqi i Lezhës, banditët ordinerë dhe zyrtarët shtetërorë me të njëjtin brumë moral në qytetet tona bregdetare, nga Saranda në Shkodër

Nga Viktor Malaj

Para pak ditësh, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë dha vendimin për 20 persona të akuzuar për tjetërsimin e pronave në bregdet, konkretisht për tokat në vendin e quajtur Rana e Hedhun.

Ishte një procedim penal që zgjati rreth tre vjet dhe, fatkeqësisht, nuk ishte i vetmi por pjesë e shumë proceseve penale të zhvilluar thuajse në të gjitha qytetet bregdetare, nga Saranda në Shkodër, dhe me të njëjtin objekt: tjetërsime të tokave, pronë shtetërore apo private, nga grupe banditësh të përbërë nga ordinerë dhe zyrtarë shtetëror me të njëjtin brumë moral.

Populli është i vetëdijshëm se, krahas shumë padrejtësive dhe krimeve të kryer gjatë këtyre 30 viteve, thuajse gjithë hapësira bregdetare e Shqipërisë u tjetërsua, fillimisht nëpërmjet spekulimit shtetëror me Ligjin 7501 të vitit 1991 “Për Tokën” dhe, më vonë, nëpërmjet falsifikimeve të dokumenteve dhe abuzimit me detyrën nga zyrtarët vendor duke realizuar regjistrime të rreme të tokave në emër të disa individëve të keqpërdorur dhe pastaj kalimin “brenda natës” të këtyre pronave në emër të organizatorëve të skemave kriminale me anën e shitjeve fiktive.

Një prej këtyre skemave, të zbatuara shpesh në qarkun e Lezhës, ishte kjo për të cilën po shkruaj dhe që u përmbyll në Shkallën e Parë të gjykimit me shpalljen e 19 personave fajtorë dhe deklarimit të pafajshëm të njërit prej 20 të pandehurve.

Nga hetimi dhe gjykimi u provua se në skemën kriminale të tjetërsimit të rreth 300 mijë metra katrore tokë, kryesisht mal dhe pyll në bregdet, rolet kryesore i kishin luajtur disa matrapazë të rrugës dhe disa zyrtarë të pushtetit vendor, të kryesuar nga ish-kryetari i bashkisë Lezhë dhe ish-kryetari i Këshillit të Qarkut Lezhë, përkatësisht përfaqsues të PD-së dhe LSI-së.

E thënë përmbledhtas, skema kishte funksionuar ngjashëm me raste të tjera: përgatiten dokumente shtetërore nga zyrat e bashkisë dhe të qarkut me të cilat “vërtetohet” se sipërfaqet e tokave që, prej një shekulli e tutje, figuronin si “tokë pyll” dhe “tokë ranore”, tani janë “pemëtore” dhe “tokë buke”.

Këto dokumente të rreme, pasi firmosen e vulosen nga drejtuesit respektivë, i dërgohen Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lezhë dhe, në bashkëpunim me drejtuesit e asaj zyre dhe disa banditë të rrugës, kryhen regjistrime false sikur sipërfaqet në fjalë iu ishin dhënë në pronësi disa personave në zbatim të Ligjit nr.7501 dhe pas 3-4 ditësh realizohen shitjet tek të afërmit e ideatorëve të skemës.

Shumica e të akuzuarve u arrestuan para dy vjetësh nga gjykata Lezhë, por, pas pak ditësh, masa e sigurisë u ndryshua në “detyrim për paraqitje”. Nuk do shumë mend për të kuptuar se tjetërsimi i një sipërfaqeje kaq të madhe tokash (në të vërtetë, pavarësisht termave juridikë të përdorur, kemi të bëjmë me vjedhje), përbën një krim të rëndë për pasojat e mëdha financiare për pronarët realë të pronave në fjalë.

Mirëpo tek ne është bërë praktikë e organeve të korruptuara të drejtësisë që sa më i madh të jetë dëmi i shkaktuar apo vlera e mallit të përvetësuar, aq më e vogël është mundësia që autorët të përfundojnë në burg, ngaqë sa më i madh hajduti aq më e madhe paraja me të cilën “zbuten” gjykuesit e veprave kriminale.

Mbaj mend që, kur u arrestuan shumica e drejtuesve të pushtetit lokal, njëri nga pronarët e ligjshëm të pronave të tjetërsuara i kërkoi publikisht nëpërmjet TV politikës shqiptare, majtas dhe djathtas, që të mos ndërhynte dhe as keqpërdorte rastin në fjalë.

Mirëpo, çfarë ndodhi realisht? PD mblodhi nja 50 mitingashë të verbër, budallenj të rrugës dhe i dërgoi përpara komisariatit të policisë së Lezhës për të protestuar për “arrestimin politik” të drejtuesve të pushtetit vendor.

Një ish-Ministër Drejtësie i LSI-së u shpreh publikisht në mënyrën më vetëzvetënuese si politikan dhe jurist, se “edhe nëse ka prova se drejtuesit e pushtetit lokal janë fajtorë, arrestimi është politik”. Ndërsa drejtuesja e asaj partie e konsideroi arrestimin e falsifikatorëve të dokumenteve shtetërore dhe tjetërsuesve (hajdutëve) të pronave si “hakmarrje ndaj popullit të Lezhës”.

Me sa duket, për të ” popull i Lezhës ” janë 10 – 15 hajdutë të vendosur prej saj si ” shërbëtorë të popullit ” në pushtetin lokal.

Tani që edhe gjykata i shpalli fajtorë, meqë të gjithë zyrtarët e përfshirë në skemën kriminale ishin të binomit PD-LSI dhe meqë ky binom politik iu premton me bujë shqiptarëve se do të luftojë korrupsionin sapo “të vijë në pushtet”, ata kishin rastin ideal të distancoheshin nga zyrtarët e tyre të korruptuar dhe të viheshin në krah të organeve të drejtësisë.

Mirëpo, çfarë bënë? Nëpërmjet numrit 2, njëfarë Gazmend Bardhi, individ politik pa integritet moral dhe as intelektual, Partia Demokratike deklaroi se e konsideronte ish-Kryetarin e Bashkisë, Fran Frrokaj si njeri që “ka punuar me përkushtim e ndershmëri” dhe se “Gjykimi në shkallën e parë ka pasur mungesë transparence dhe indicie të forta për ndërhyrje të papërshtatëshme politike… Ne iu bëjmë thirrje organeve të drejtësisë t’i qëndrojnë sa më larg ndikimeve të politikës në këtë proces dhe të bëjnë drejtësi”.

Përveçse nuk përmendi asnjërën nga “indiciet” e ndërhyrjes politike, zyrtari i lartë partiak bëri edhe autogol kur pretendoi se “ka pasur mungesë transparence” në gjykim. Për çfarë transparence flet ky zëdhënës dhe avokat i së keqes, i krimit dhe mashtrimit?

Të gjitha seancat gjyqësore janë bërë me dyer të hapura dhe të gjithë dokumentet e përdorur për tjetërsimin e pronave kanë rezultuar të falsifikuar, sipas ekspertimeve grafike të laboratorit përkatës. Asnjëri nga të akuzuarit nuk i ka vënë në dyshim përfundimet e ekspertimeve, ndërkohë që është përpjekur të luaj rolin komik sikur nuk dinte gjë, e kanë gënjyer, “ma kanë hedhur” etj. etj.

Megjithëse Gazmend Bardhin na e kanë paraqitur në shtyp si “figurë të madhe të jurisprudencës”, zotëria në fjalë jo vetëm me këtë deklaratë, por edhe shumë të tjera, e ka dëshmuar veten se është një njeri i vogël, intelektualisht mediokër dhe politikisht i pavlerë.

Duket qartë që ai nuk është thirrur në PD për të përmirësuar moralin dhe vlerat e saj, por për t’i përqafuar ato antivlera dhe atë moral të kalbur, për të siguruar vazhdimësinë e të njëjtit moral politik por me emra dhe maska të reja.

Ai, ashtu si edhe Lulzim Basha dikur, rezultojnë thjesht disa “zogj” të dalë nga vezët politike të ngrohura në furriqet e SHQUP-it. Këta na japin mundësinë të shikojmë pa vështirësi vijimësinë e të njëjtit moral, të së njëjtës sjellje politike përgjatë “tre brezave”.

Gjyshi politik, Berisha, i shkonte në shtëpi për darkë (nën vëzhgimin e kamerave të porositura televizive) zëvendësit të tij në qeveri një natë përpara se të jepej vendimi gjyqësor për korrupsion kundër tij, si mesazh mbështetjeje për të dhe kërcënim për gjykatën.

Më vonë gradoi drejtor të lartë një person të dënuar për vrasjen e Remzi Hoxhës, ndërsa zyrtarin shtetëror që kishte fshirë pamjet filmike të ngjarjes së 21 janarit 2011 e dërgoi në Presidencë me ngritje. Biri politik i gjyshit, Lulzim Basha i vajti për vizitë në shtëpi për ta mbështetur moralisht e politikisht, domethënë për të ndikuar juridikisht, ish-kryetarit të bashkisë Kamzë Xhelal Mziut vetëm disa orë pasi gjykata e shkallës së parë e kishte dënuar me burgim për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Nipi politik Gazmend Bardhi merr në mbrojtje dhe shpall të “dënuar politik” ish-kryetarin e korruptuar të bashkisë Lezhë. Madje, guxon dhe i bën thirrje drejtësisë (nënkupto Gjykatës së Apelit) që “të bëjnë drejtësi”, sepse dënimi i dhënë është i padrejtë.
Imagjinoni tani të jenë nesër në pushtet këta bij dhe trashëgimtarë besnikë të baballarëve të diskredituar politikë.

Guximi i tyre kalon çdo kufi, por edhe budallallëku i tyre arrin maja të larta. Siç thonë andej nga veriu, mos mbetsh me kaq. Nënkryetari i LSI-së, ish-ministri Petrit Vasili, një shëmbëlltyrë e përsosur e kotësisë intelektuale, të cilit budallallëkun ia turbullon edhe më shumë ligësia morale, shfaqet akoma më “trim” në reagimin e tij.

Ja çfarë thotë ai lidhur me dënimin e ish-zyrtarëve të korruptuar të Lezhës: “Reforma në Drejtësi nuk tremb asnjeri. Ramaforma në Drejtësi, që godet ish-kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj, thjesht se është opozitar, po përgatit gropën e Rilindjes. Kush duartroket sot Ramaformën në Drejtësi thjesht konfirmon veten si pjesë të Rilindjes dhe konsumator i çorbës së saj të qelbur dhe mbështetës i antiligjit dhe antishtetit. Kush keqpërdoret nga Rilindja duke shkelur ligjin, duke falsifikuar dokumentet e duke shtrembëruar drejtësinë do të ketë vetëm një fund: burgun. Çdo veprim shënohet, nuk harrohet dhe do të shpaguhet”.

Ky kaposh pa bisht dhe i lagur, pjesëtar konsekuent i grupimit politik që për katër vjet me përpjekje të pandërprera ka bërë çmos ta pengojë, vonojë dhe shtrembërojë Reformën në Drejtësi, përpiqet, më kot dhe për të keqen e vet, ta konsiderojë dënimin e bashkëpunëtorëve të tij politikë, zyrtarëve të korruptuar si dënim politik, “thjesht se është opozitar”- thotë ai.

Sipas moralit dhe formimit të tij, dënimi i këtyre zyrtarëve të korruptuar duhet konsideruar akt antishtet dhe antiligj. Dhe, nuk mjaftohet me kaq, por i kërcënon organet e drejtësisë me burg për “shtrembërim të drejtësisë” dhe i paralajmëron se është “duke mbajtur shënim”. Sigurisht që shënon me lapsin e palaçollëkut të tij politik.

Eksperienca e këtyre 30 viteve na ka provuar dhe bindur se kjo skotë njerëzish pa ideale dhe pa skrupuj nuk kanë lënë gjë pa bërë dhe janë ndier të mbrojtur pasi drejtësinë e kishin kapur për fyti në saje të pushtetit që kishin.

Kur, rastësisht, binin në rrjetën e drejtësisë, vraponin të vetëshpalleshin të ” përndjekur politikë “. Kur djegin Shqipërinë dhe sulmojnë institucionet me të gjithë arsenalin e armatimit pretendojnë se po luftojnë për ” demokraci “; kur vjedhin dhe shpërdorojnë paratë e buxhetit të shtetit i mbyllin gjyqet me ” procedura ” të shpikura ose ” i fitojnë ” ato ” pesë me zero ” dhe ne na tregojnë gishtin e mesit; kur vrasin njerëz të pafajshëm në bulevard pretendojnë se ” kemi zbatuar ligjin ” dhe kërcënojnë se do të vrasin disa herë më shumë dhe ” ekzekutojnë si bandit ” cilindo që ” iu afrohet zyrave të mija “; kur falsifikojnë rezultate votimesh apo mbushin kutitë e votimeve me fletë – votime false duke e shumëfishuar disa herë rezultatin zgjedhor në favor të tyre krahasuar me zgjedhjet paraardhëse, iu fryjnë borive duke pretenduar se ” pushteti aktual është produkt i blerjes së votave ” ndërsa ata janë viktimat.

Nëse e shohin se për veprat e tyre kriminale rrezikohen të ndiqen nga drejtësia e shpallin atë ” të kapur nga politika kundërshtare ” dhe veten e tyre ” të persekutuar politikë “. Këta janë ata që edhe sot na premtojnë parajsën e ardhshme nën sundimin e tyre, kuptohet parajsën e tyre dhe ferrin tonë.

Secili nga ne është i lirë të përfytyrojë një qeverisje të nesërme me ministra të tipit Bardhi dhe Vasili, se çfarë drejtësie dhe morali do t’iu sjellin shqiptarëve këta “shpëtimtarë” të së keqes që nuk të lënë të dyshosh asnjë grimë se vetë janë përfaqsuesit më të denjë të së keqes së djeshme dhe asaj që shpresojnë.

Po të kishin sadopak integritet moral dhe përgjegjshmëri qytetare e politike, Bardhi dhe Vasili do të kishin shkuar në Lezhë për të pyetur se cili është në fakt Fran Frrokaj, cilët janë në fakt zyrtarët e tjerë të dënuar në gjyqin e lartpërmendur. Nëse do të kishin shkuar në Lezhë dhe të mos pyesnin dhjetë apo njëzet militantë që kanë humbur privilegjet e tyre të dikurshme dhe prandaj skërmiteshin si qen të zgjebosur para komisariatit të policisë para dy vjetësh, por të pyesnin anëtarët e thjeshtë të PD-së në qytetin e Lezhës dhe në komunën e Shënkollit, ku Frrokaj ka drejtuar disa vjet, do të kishin mësuar të vërtetën. Dhe e vërteta, veçnanërisht në këtë rast, është shumë e hidhur.

Ata do të kishin mësuar se Fran Frrokaj nuk është zyrtari që ka punuar “me ndershmëri”, por kokrra e batakçiut i cili “gabimet” e ndëshkuara nga ky gjykim juridik i ka pasur praktikë të pandërprerë në gjithë veprimtarinë e tij shtetërore, gjatë drejtimit të komunës dhe të bashkisë.

Po të interesoheshin më shumë dhe më mirë, avokatët e krimit dhe korrupsionit, Bardhi me Vasilin dhe partitë e tyre respektive do të mësonin se janë, të paktën edhe 2 a 3 çështje të tjera që hetohen për korrupsion dhe tjetërsim pronash, procedime penale ku Fran Frrokaj është sërish protagonist. (Nuk do të ishte çudi që ta dinë faktin apo edhe po ta mësojnë tani, sërish të thërrisnin publikisht: Hajdutë të të gjitha qarqeve bashkohuni dhe ejani me ne sepse jeni të pandëshkueshëm për shkak të qënies pjesë e jona!).

Çfarë do të bëjnë kalorësit e “luftës kundër korrupsionit” dhe “dekriminalizimit të politikës”, Bardhi dhe Vasili dhe gjithë shpura e tyre e mashtruesve të pandreqshëm, kur të marrin vesh që Fran Frroku dhe frrokët e tjerë që ata ia kanë pas bërë dhuratë popullit të Lezhës kur ishin në pushtet, do të akuzohen dhe dënohen sërish pasi nuk kanë lënë kënetë dhe pellg uji në Lezhë pa e shndërruar në “tokë buke” me letra për të mundësuar regjistrimin e tyre në pronësi private?

Unë besoj fort se Frroku dhe bashkëpunëtorët e tij, ashtu si edhe avokatët e tyre juridikë e politikë, duhet t’iu jenë mirënjohës prokurorisë së korruptuar të Lezhës dhe policisë së paaftë të këtij qarku që nuk bënë hetime të thelluara dhe profesionale lidhur me rastin për të cilin u dënuan, sepse, atëherë, do të kishin zbuluar e vërtetuar se nuk ndodheshin përpara disa abuzimeve e falsifikimeve spontane e të palidhura ndërmjet autorëve, por ndodheshin përpara një grupi të strukturuar kriminal ku banditët e rrugës merrnin padrejtësisht pronat shtetërore e private, ndërsa zyrtarët e korruptuar të pushtetit lokal merrnin valixhet me para si shpërblim për mundësimin e regjistrimeve të paligjshme nëpërmjet përgatitjes së dokumenteve false.

Ajo që nuk kuptoj lehtë është fakti se si Bardhi, Vasili dhe sivëllezërit e tyre nuk kuptojnë se qëndrimet dhe deklaratat që bëjnë për rastin në fjalë kanë efekt vetëdiskreditues shumë herë më të madh se dhjetëra akte propagandistike të kundërshtarëve të tyre politikë.

——-

Botuar në DITA. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë dhe pa citimin korrekt e të dukshëm të burimit

Football news:

Alisson on recovery from injury: I prayed a lot, spent 5-6 hours a day with physiotherapists
The VAR referee told the Barcelona - real match referee that Langle did not foul on Ramos. Catalans want to get audio
Frankie de Jong: we have to adapt to Messi. He is the best player in the world
Real Madrid defender Nacho will miss 4 weeks due to injury. Two right-backs are already injured
Manchester City are considering Pochettino and Nagelsmann should Pep leave
Solskjaer still wants Manchester United to buy Holland
The reforms of Manchester United and Liverpool are reminiscent of the history of the Premier League. Then the tops got tired of social justice and wanted freedom