Rritja e numrit të të prekurve nga COVID-19, ka bërë që të vihet në zbatim skema e trajtimit të pacientëve në spitalin COVID-4.
Ndërkohë, ditën e sotme në këtë spital janë shtruar pacientët e parë të ardhur nga spitalet COVID-1 dhe COVID-3.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu u shpreh se spitali do të jetë me një staf mjekësor që do u shërbejë vetëm pacientëve me koronavirus dhe gjithashtu stafi mjekësor që do punojë në këtë spital është i trajnuar.
“Ia dolëm sot ta hapim pas një pune të madhe intensive të ditëve të fundit. Ne e kishim bërë pjesë të strategjisë tonë përfshirjen e 4 spitaleve. Kjo erdhi si pasojë e rritjes së numrit të pacientëve dhe plotësimit të kapaciteteve në spitalet e para covid. 100 shtretër ka ky spital dhe nuk është në korpusin tipik të spitaleve tona. Për këtë është dhe një angazhim më shumë. Jemi përgatitur gjatë gjithë kësaj periudhe dhe 24 orët e fundit kanë qenë intensive në pritje të pacientëve.
Ky është një tjetër hap drejt rritjes se kapaciteteve tona. Kjo është struktura e rradhës që i vihet në shërbim qytetarëve”, tha ministrja.
Sakaq, drejtori i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj kërkoi që ndaj mjekëve dhe stafit të shëndetësisë të mos ushtrohet presion, por të lejohen që të bëjnë punën të qetë.
“Çdo hallkë që shtohet është pjesë e shërbimit shëndetësor, ne nuk kemi të ndarë spitalet, 1, 2, 3, 4 apo qendra kombëtare, jemi të gjithë shërbimi shëndetësor i Shqipërisë. Në çdo hallkë do të jemi gati. Vetëm bashkëpunimi me njëri tjetrin, nuk ka rrugë tjetër, thjeshtë të la lënë të qetë të punojmë në këtë pandemi, jo nën presion, të punojmë për pacientët” tha ai.
Statusi
Ministrja Ogerta Manastirliu në spitalin COVID4, me stafin mjekësor që nga sot do të shërbejë në strukturën e re të dedikuar për pacientët me #covid19, si pjesë e planit tonë të menduar që në krye të herës, për të përballuar situatën e vjeshtë-dimrit.
#Forca ekipit të shëndetësisë në këtë sfidë aspak të lehtë
Me përkushtimin e stafeve mjekësore, me durim e solidaritet do ta fitojmë bashkë këtë luftë me Armikun e Padukshëm
h.b/dita