TIRANË, 4 mars/ATSH/ Projektet e impianteve fotovoltaike lundruese, vitet e fundit gjithmonë e më shumë po marrin zhvillim edhe për vetë faktin se kanë impakt minimal në mjedis dhe mbi të gjitha nuk shoqërohen me kërkesë për sipërfaqe toke.

Në kuadër të diversifikimit të burimeve gjeneruese të energjisë elektrike, KESH në bashkëpunim me BERZH është duke përgatitur një projekt të tillë, që konsiston në ndërtimin e një ishulli fotovoltaik lundrues mbi sipërfaqen e rezervuarit pranë hidrocentralit Vau i Dejës.

Drejtori i KESH-it, Benet Beci bëri të ditur se ky impianti fotovoltaik lundrues do të ketë një kapacitet të instaluar prej 12.9 MWp dhe prodhimi mesatar vjetor parashikohet të jetë 18500 MWh që e bën dhe projektin e parë në llojin e vet që zhvillohet në vendin tonë por edhe në rajon.

“Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka financuar 100% fazën studimore të këtij projekti nëpërmjet një granti, duke angazhuar në këtë proces ekspertizën më të mirë ndërkombëtare. Së shpejti do të nis procesi i prokurimit për të përzgjedhur subjektin, i cili brenda vitit do të jetë në fazë zbatimi”, tha ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.