LOS ANXHELES, 27 shtator /ATSH-AFP/ – Qyteti i Berkeley-t, një bastion progresiv në veri të Kalifornisë, do të ndalojë shitjen e produkteve shumë të ëmbla ose të kripura në vitrinat e arkave të supermarketeve, me qëllim promovimin e ushqimit më të shëndetshëm, i pari qytet në SHBA që ndërmerr një nismë të tillë, sipas medieve lokale.

Këshilli i qytetit i Berkeley miratoi njëzëri një urdhëresë që do të ndalojë produktet që përmbajnë më shumë se 5 gramë sheqerna të shtuar ose më shumë se 250 mg natrium për racion nga kutitë.

Ndalimi zbatohet, gjithashtu, edhe për të gjitha pijet që përmbajnë sheqerna të shtuar ose ëmbëlsues artificialë.

“Ushqimet e lira të pasura me kripë, yndyrna të ngopura dhe sheqerna të shtuara janë mbizotëruese në vitrina. Klientët janë më të prirur për të bërë blerje impulsive dhe prindërit grinden me fëmijët e tyre që kërkojnë ëmbëlsira, në fund të blerjeve”, sqarohet në urdhëresë.

Ndalimi, i cili do të zbatohet për 25 supermarkete në qytet, do të hyjë në fuqi marsin e ardhshëm dhe kontrollet e para nga inspektorët shëndetësorë janë planifikuar për në janar 2022./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.