Albania

Koronavirusi/ Ekspertët e shëndetësisë këshilla kur duhet të përdorni maska

TIRANË, 27 shkurt/ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale këshilloi sot qytetarët se kur duhet të përdorin maskat si masë mbrojtëse për koronavirusin.

“Maskat duhet përdorur nëse keni kollë, teshtima dhe vështirësi në frymëmarrje, nëse jeni duke ofruar ndihmë personave me simptoma me infeksione respiratore, nëse jeni një punonjës i shërbimit shëndetësor dhe po asiston persona me simptoma të infeksioneve respiratore”, – rekomandojnë ekspertët e shëndetësisë.

Sipas MSH-së, maska nuk është e nevojshme për popullatën që nuk ka probleme me infeksionet respiratore.

“Për njerëzit e shëndetshëm, të painfektuar, përdorimi i maskës duhet bërë vetëm në rastet kur ai apo ajo po shërbejnë një tjetër personi, i cili dyshohet se mund të jetë i infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19). Vendosni maskë nëse ju teshtiteni ose kolliteni. Maskat janë efektive vetëm, kur [përdorimi i tyre kombinohet më larjen e shpeshtë të duarve me solucione me bazë alkooli, apo me ujë dhe sapun. Nëse ju do përdorni maskë duhet ta dini edhe si ta vendosni , si ta hiqni, por edhe ku duhet ta hidhni pas përdorimit”,-thonë specialistët e MSHMS./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.