Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Ligjërimi diplomatik i Shaban Muratit në librin “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë”

Nga Halil Rama

Pasi ka ndjerë mungesën e mendimit diplomatik shqiptar për çerek shekulli, si ish-funksionar në Ministrinë e Jashtme dhe dy herë ambasador, diplomati i mirënjohur Shaban Murati po e plotëson këtë vakuum me analizat e tija të mirëfillta, të përmbledhura në 17 vepra të botuara në harkun kohor të 17 viteve të fundit. Është ky padyshim një kontribut mjaftë i qënësishëm në pasurimin e historikut të diplomacisë shqiptare. Në analet e kësaj diplomacie, vepra më e fundit e ambasador Muratit “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë” që u promovua para pak ditësh në praninë e dhjetra personaliteteve shqiptare të politikës, diplomacisë e letrave, zë vend të rëndësishëm, pasi në të shpaloset përvoja 50-vjeçare e një analisti të politikës së jashtme.

Në 75 artikujt e kësaj vepre, të shkruara në harkun kohor të tri viteve të fundit (2018-2021) Shaban Murati, “Mjeshtër i Madh” në diplomaci, sjell mendimin e tij të avancuar si studjues i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe analist diplomatik.

Kështu, nëse në artikullin “Në Bruksel po vërtitet Konferenca e Londrës. Pse nuk ndodhet Shqipëria?” (të datës 30 korrik 2018) shpreh shqetësimin e ligjshëm të një situate alarmante, ku përfaqësues të veçantë të diplomacisë europiane tentonin devijimin e objektit kryesor të bisedimeve përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, tre vjet më vonë, ai denoncon me kurajo pabesinë diplomatike të Zoran Zaevit ndaj Kosovës. Thelbin e kësaj pabesie, Murati e sheh në parashtrimin zyrtar që kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, bëri në një intervistë në datën 1 gusht 2021 me Agjencinë Shtetërore Serbe “Tanjug”, ku për herë të parë zbuloi se “Ballkani i hapur” serb do të angazhohet në një platformë dhe betejë diplomatike kundër Kosovës. Do të mjaftonte qoftë edhe mosreagimi i duhur i Ministrive të Jashtme të dy qeverive shqiptare (të Shqipërisë dhe Kosovës) për të përligjur titullin sinjifikativ të veprës së ambasador Muratit “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë”. Parë nga ky këndvështrim, në ligjërimin diplomatik të tij gjejmë fakte dhe argumenta që rrëzojnë tezën e ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë.

Referuar zhvillimeve historike, Sh.Murati konkludon se “Për sa i përket Kosovës, ndryshimi i kufijve të saj, nëpërmjet ndarjes, ka qenë një kërkesë konstante prej vitesh, e deri sot, e diplomacisë serbe, që nga Millosheviçi e Koshtunica, e deri te Daçiçi e Vuçiçi. Deri para bisedimeve ndërkombëtare për statusin e Kosovës, edhe disa qarqe të diplomacisë europiane e kishin konsideruar tezën e  ndarjes së Kosovës si alternativë me interes” (fq.13).

Vetëm një analist diplomatik i vëmendshëm si Shaban Murati do të mund t’iu kundërvihej hapur tezave të lidershipeve zyrtare të Kosovës dhe Shqipërisë në mbështetje të propozimit të Presidentit Serb Vuçiç për ndarjen e mundshme të Kosovës. Pikërisht ky qëndrim i eksponentëve më të lartë të dy shteteve të Shqipërisë dhe Kosovës dëshmon vetëvrasjen diplomatike të Shqipërisë dhe Kosovës.

Ndaj dhe analisti diplomatik Murati, që para tri vitesh, ndër 14 pyetjeve të ditës që shtroi për Prishtinën dhe Tiranën zyrtare, iu drejtohet atyre publikisht se: “Me çfarë të drejte dhe norme ndërkombëtare juridike i kërkohet Kosovës t’i japë pjesë nga sovraniteti dhe integriteti i vet Serbisë, shtetit që humbi luftën më 1999? A i kanë lexuar Tirana dhe Prishtina traktatet e paqes dhe marrëveshjet e paqes midis shteteve fituese dhe shteteve të mundura në luftë?…A duhet të lejohet që Kosova të humbë në paqe atë liri e sovranitet, që fitoi në luftë me gjak dhe me ndihmën e NATO-s në vitin 1999?”.

Në trajtimin e marrëdhënieve dypalëshe Shqipëri – Kosovë të tre viteve të fundit, si  dhe të raporteve të tyre me Serbinë, SHBA-të dhe BE-në, Sh.Murati arrin në konkluzionin se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë janë në pikën e tyre më të ulët. Këtë e argumenton edhe me mosdakortësinë për idenë e rrezikshme të partneritetit strategjik me Serbinë. Referuar deklaratës së kryeministrit Rama në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive më 26 Nëntor 2018 në Pejë se “Marrëdhënia jonë me Serbinë është strategjike për afat të gjatë. Shqipëria është e vendosur të ndërtojë një partneritet strategjik me Serbinë”,  ambasador Murati e konsideron këtë kaq jonormale, duke menduar se do ngrejë stuhi reagimesh mbarëshqiptare, njësoj si për idenë tjetër të ndryshimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë.

Ambasadori Murati argumenton se ky nivel i ulët marrëdhëniesh midis Shqipërisë dhe Kosovës kryesisht vjen nga presioni i fortë i Serbisë, e cila, gjatë mandatit të dytë të qeverisë së Shqipërisë ka gjetur një terren tepër të përshtatshëm për një ofensivë dhe për një imponim të ideve, tezave dhe qëndrimeve jopozitive të qeverisë dhe të diplomacisë serbe. Kjo sipas tij edhe për faktin se pas mikrosamitit të Shkupit të 29 korrikut 2021 të krerëve të tri shteteve anëtare, përkrahëse të projektit serb me emrin “mini Shengen” apo “Ballkan i hapur” konstatohet një ngutje diplomatike dhe politike e sforcuar për të ecur sa më shpejt drejt integrimit serb të grupimit të ri subrajonal.  Për të argumentuar lëvizjen e “Ballkanit të hapur” në skemat ruse, analisti diplomatik Sh.Murati sjell në vëmendjen e opinionit publik deklaratën e zëvendësministrit të jashtëm rus, Aleksandër Grushko në Beograd më 18 qershor 2021 se “vendet e Ballkanit duhet të zgjedhin modelin e Federatës ruse, pra të bëhen si një shtet federativ që të ketë qendër drejtuese Beogradin, siç është Moska për Federatën Ruse”. Në këtë kontekst, mbështetjen zyrtarisht dhe publikisht të qëndrimeve të Serbisë nga Tirana zyrtare, ambsadaor Murati e konsideron si qëndrim që solli një çarje midis publikut shqiptar si dhe midis qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës. Madje me të drejtë Sh.Murati shprehet për defekte të patriotizmit tonë, të cilin e kemi parcial.

Ndoshta edhe për këtë mendim e ligjërim diplomatik të avancuar, Prof.dr.Enver Hoxhaj, ish-zëvendëskryeministër dhe Ministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës (2016-2020) e konsideron ambasador Muratin njohësin më të mirë të Kosovës dhe të raporteve të saj me botën e jashtme që nënkupton: rajonin, Europën Juglindore, raportet me BE-në, por edhe kontekstin global të asaj se çfarë raportesh ka Kosova. “Mund të them që është prej njohësve më të mirë, ndoshta prej Vjenës deri në Athinë.. Sa herë shkruhet, flitet për Kosovën: mendimi i tij lexohet në Prishtinë, jo vetëm në mesin e vendimmarrësve politikë, por edhe në mesin e shumë të tjerëve, të cilët e krijojnë, e fuqizojnë kulturën e re politike në Republikën e Kosovës”, vlerëson z.Hoxhaj.

Nisur edhe nga ky vlerësim shpreh bindjen në domosdoshmërinë e pasurimit të bibliotekave institucionale dhe vetjake të çdo shqiptari me librat e ambasador Muratit.

Veçanërisht në veprën e tij të fundit madhore  “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë”, analisti diplomatik Sh.Murati argumenton edhe dështimin e madh të BE me Kosovën. Referuar dështimit të tryezave të njëpasnjëshme të bisedimeve Prishtinë-Beograd, autori i kësaj vepre e sheh dështimin e BE-më Kosovën në paaftësinë e saj për të arritur një zgjidhje përfundimtare në bisedimet tëtëvjeçare Serbi Kosovë, gjë që imponoi nevojën e angazhimit të drejtpërdrejtë të SHBA në ato bisedime.

Të mirëargumentuara janë në këtë vepër, “Dalldia filoserbe në dëm të rajonit dhe pozicioni që duhet të mbajë Shqipëria”, “Ideja e rrezikshme ruse për Kosovën në Këshillin e Sigurimit” dhe veçanërisht  “Doktrina ‘Bajden’, si zgjidhje për Kosovën dhe Ballkanin”.

Ajo që autori e quan Doktrina e Presidentit amerikan Bajden për Ballkanin, me pak fjalë përmblidhet në luftën kundër korrupsionit si interes strategjik dhe kundër atyre politikanëve që destabilizojnë rajonin, si dhe qendërzimi i dialogut Kosovë – Serbi.  Autori thekson se modelimi i Ballkanit me standarte perëndimore kërkon një forcë bindëse teorike, por kërkon edhe një forcë praktike, të cilën e përfaqësojnë vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës.