TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka kryer mbi 1500 inspektime dhe monitorim në 24 orët e fundit.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se “nga inspektimet janë vendosur 4 masa administrative për subjekte dhe individë të gjetur në shkelje të protokolleve dhe masave për mbrojtjen nga COVID-19: 3 masa administrative me gjobë ndaj individëve për mosmbajtje të maskës në ambiente publike të mbyllura dhe 1 vendim për pezullim aktiviteti në institucion publike. Masat administrative janë vendosur nga degët rajonale të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor në qarqet Elbasan, Durrës, Shkodër’.
Task Forca anti-COVID në total ka kryer mbi 137 mijë kontrolle dhe monitorimet në terren gjatë epidemisë dhe janë vendosur 535 masa administrative për subjektet e gjetura në shkelje të protokolleve të sigurisë, miratuar nga Ministria e Shëndetësisë.

“Ministria e Shëndetësië u kërkon bizneseve të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë dhe vendimin e ri, i cili ndalon hapjen e klubeve të natës, diskove, etj, si dhe ndalimin e muzikës për të gjitha aktivitetet pas orës 20:00. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar distancimin social, masat e higjenës dhe vendimin për maskën e detyrueshme në ambientet e mbyllura dhe shmangien e grumbullimeve. MSHMS bën apel të përdoren maskat apo barrierat mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët. Çdo shkelje do të konsiderohet me rrezik për shëndetin e qytetarëve dhe si e tillë do të ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi”.

z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.