Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Mbi 90 miliardë lekë në buxhet nga TVSH-ja

TIRANË, 16 tetor/ATSH/ Të ardhurat nga Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) u realizuan në masën 90.9 miliardë lekë, 19.4 miliardë lekë ose 27.1% më shumë se një vit më parë, si dhe 9.8 miliardë lekë ose 12.2% më shumë se plani për 9 mujorin 2021.

Janë një sërë faktorësh që kanë ndikuar në realizimin e performancës së tatimit mbi vlerën e shtuar.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE), produktet doganore me efekt pozitiv në të ardhurat e TVSH-së janë karburant importi me 3.1 miliardë; automjetet e përdorura me 2 miliardë; metalet bazë dhe artikujt prej tyre me 1.9 miliardë; veshje dhe tekstile me 0.9 miliardë lekë dhe materialet e ndërtimit me 0.8 miliardë lekë, të cilat kanë një kontribut pozitiv 8.7 miliardë lekë.

Ndër produktet me efekt negativ renditen: telefona celulare, fruta-perime, sheqeri, mielli dhe gruri, biçikletat dhe pjesët, me një efekt 0.2 miliardë lekë.

Ndërkohë, rimbursimet për periudhën 9-mujore 2021 arritën 20.8 miliardë lekë, 8.9 miliardë lekë ose 74.8% më shumë se 9-mujori 2020, si dhe 7.3 miliardë lekë ose 53.7% më shumë se plani i rimbursimit të TVSH-së për 9-mujorin 2021.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) është një tatim i përgjithshëm, mbi konsumin e mallrave dhe shërbimeve. Tatimit mbi vlerën e shtuar i nënshtrohen të gjitha furnizimet e mallrave dhe shërbimeve, të kryera kundrejt pagesës, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, nga një person i tatueshëm, si dhe të gjitha importet e mallrave në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.