Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

“Miqtë e tyre dhanë alarmin për mungesën”, dalin detajet e para nga ngjarja e rëndë në Qerret. Shoqërohen në polici, stafi i hotelit dhe menaxheri

Dalin detajet e para nga ngjarja e rëndë mbrëmjen e së premtes në Qerret të Kavajës.

Të dhënat zyrtare, tregojnë se katër rusët e vdekur kanë hyrë në Shqipëri para një jave, si pjesë e një grupi turistësh. Prej një jave ata ishin vendosur në një hotel në zonën e Qerretit në Kavajë.

Mbrëmjen e së premtes ata kanë vendosur të shfrytëzojnë edhe dhomën e saunës të hotelit ku ndodheshin, por janë bllokuar brenda saj.

Ka qenë pjesa tjetër e turistëve që kishin ardhur nga Rusia bashkë me ta që kanë vënë re mungesën e dy çifteve dhe kanë nisur të pyesin stafin e hotelit.

Këta të fundit, gjatë kërkimeve, kanë hapur dhomën e saunës dhe janë ndeshur me katër trupa të pajetë.

Paraprakisht sipas Policisë së Kavajës, katër turistët kanë ndërruar jetë nga asfiksia. Trupat e viktimave do t’i nënshtrohen nje ekspertize ligjore për të zbuluar shkakun që u mori jetën.

Në polici janë shoqëruar dhe stafi i hotelit ku u gjetën turistët e vdekur, bashkë me menaxherin e kompleksit.

Për ngjarjen e rëndë mësohet se është njoftuar edhe ambasada e Rusisë në Tiranë, e cila do të bëjë të mundur dhe njoftimin e familjarëve të turistëve për humbjen e madhe.

n.s. / dita