Albania

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor/ PS paraqet amendamentet në Këshillin Politik, ruhen koalicionet

TIRANË, 18 shtator/ATSH/ Përfaqësuesi i mazhorancës, Damian Gjiknuri dorëzoi sot në Këshillin Politik draftin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, amendamente të cilat ruajnë koalicionet dhe garantojnë garën e ndershme zgjedhore.

Amendamentet e paraqitura nga PS në Këshillin Politik, përfshijnë listat e kandidatëve 100% të hapura; kandidatët i nënshtrohen votës preferenciale; qytetari voton partinë/koalicionin dhe 1 kandidat preferencial.

Po ashtu, PS propozon që vota preferenciale ndryshon renditjen e listës, pragu minimal për koalicionet të jetë 3%, dhe po ashtu 3% pragu edhe për partitë jashtë koalicionit.

“Koalicioni është një subjekt zgjedhor që garon në zgjedhje dhe koalicioni dorëzon listën shumëemërore. Gratë dhe vajzat të jenë jo më pak se 30% të listës fituese dhe ruajtje e kuotave gjinore edhe me listat 100% të hapura”, janë disa nga propozimet e PS-së.

Në vlerësimin e Partisë Socialiste këto amendamente përbëjnë platformën më të mirë të mundshme, të konsensusit sa më të gjerë mes mazhorancës qeverisëse, opozitës parlamentare dhe opozitës jashtëparlamentare, për shkak se plotësojnë çdo kërkesë të artikuluar prej tyre.

PS thekson se “amendamentet ruajnë koalicionet dhe garantojnë garën e ndershme zgjedhore”.

Formula e ndarjes së mandateve brenda partive të koalicionit, sipas marrëveshjes së koalicionit, përcaktohet në bazë të votave që merr çdo kandidat i listës së koalicionit dhe formulës së përcaktuar në ligj si për të gjithë kandidatët e tjerë të partive që garojnë më vete. Ky është modeli që kanë të gjitha vendet evropiane që kanë sistem proporcional rajonal me votë preferenciale.

PS nënvizon se është detyrë dhe përgjegjësi kushtetuese e Kuvendit të miratojë ndryshimet përkatëse në Kodin Zgjedhor që të zbatojnë përcaktimet kushtetuese në fuqi për çështjet e zgjedhjeve. Amendamentet e propozuara paraqiten dhe kanë pikërisht këtë qëllim.

Më konkretisht, amendamentet e propozuara parashikojnë:

  1. Listat e kandidatëve të partisë apo të koalicionit zgjedhor do të jetë 100% E HAPUR. Të gjithë kandidatët në listë i nënshtrohen votimit parapëlqyes nga zgjedhësit. Çdo zgjedhës ka të drejtën që krahas partisë apo koalicionit zgjedhor të vendosë shenjën edhe tek emri i një kandidati/kandidateje të preferuar. U jepet e drejta zgjedhësve që të ndryshojnë renditjen e kandidatëve dhe respektivisht ndarjen e mandateve duke vlerësuar ata kandidatë që demonstrojnë që gëzojnë një mbështetje të madhe, edhe mbi vet renditjen e partisë që i propozon. Një parim i tillë aplikohet në një sërë vendesh me sistem të ngjashëm elektoral ku zgjedhësit kanë të drejtë të rirendisin kandidatët e rrjedhimisht mandatet e fituara elektorale. Në vëmendje mund të sjellim shembujt e Austrisë, Kroacisë, Republikës Çeke, Suedisë.
  2. Pragu minimal për ndarjen e mandateve për Kuvendin, mes koalicioneve dhe/ose partive garuese jashtë koalicioneve (subjekte elektorale) është 3% E VOTAVE TË VLEFSHME NË SHKALLË VENDI. Ky prag i propozuar bazohet në standardet më të mira demokratike në fushën e zgjedhjeve dhe është pranuar edhe nga Komisioni i Venecias në një sërë opinionesh të tij.
  3. Gjinia më pak e përfaqësuar garantohet se do të jetë jo më pak se 30% e përbërjes së Kuvendit edhe në kushtet e zbatimit të listave të hapura plotësisht. Një në tre emra të njëpasnjëshëm i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar, si në listën paraprake të depozituar nga subjekti zgjedhor ashtu edhe në listën përfundimtare të mandateve të fituara nga subjekti zgjedhor.
  4. Koalicioni zgjedhor parashikohet si subjekt zgjedhor që konkurron në zgjedhje. Pragu elektoral për koalicionet zgjedhore është 3 % dhe është i njëjtë me pragun elektoral që duhet të plotësojë një parti politike që konkurron e vetme në zgjedhje. Në momentin e regjistrimit, koalicioni duhet të deklarojë partinë politike udhëheqëse të koalicionit. Marrëdhëniet midis partive pjesëtare të koalicionit dhe detyrimet reciproke midis tyre rregullohen në marrëveshjen e koalicionit, e cila është pjesë e dokumentacionit që depozitohet nga koalicioni në KQZ.
  5. Partia politike ose koalicioni zgjedhor, që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend, depoziton në KQZ listën shumëemërore të kandidatëve të tij për çdo zonë zgjedhore jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve.
  6. Emrat në listën shumemërore të subjektit zgjedhor paraqiten të renditura sipas rendit shifror, duke filluar nga numri një. Subjekti zgjedhor nuk mund të ndryshojë renditjen e kandidatëve të listës pas regjistrimit të saj. Kandidatët rirenditen vetëm në zbatim të përllogaritjes së votave parapëlqyese dhe plotësimit të kushtit ligjor për kuotën gjinore
  7. Pas ndarjes së mandateve të fituara mes koalicioneve dhe/ose partive garuese jashtë koalicioneve (subjekte zgjedhore), KQZ përllogarit shpërndarjen e mandateve për kandidatët fitues për secilin subjekt zgjedhor (koalicion zgjedhor ose parti garuese jashtë koalicioneve). Shpërndarja e mandateve fillon pas rirenditjes finale të kandidatëve duke patur për bazë tri elementë: së pari, renditjen e tyre në listën e dorëzuar paraprakisht në KQZ nga subjekti; së dyti, numrin e votave parapëlqyese të secilit kandidat; dhe së treti, numrin e votave që i janë dashur subjektit për të nxjerrë një mandat deputeti në këtë zonë zgjedhore.

/m.m//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Football news:

Hans-Dieter flick: I Hope Alaba will sign a contract with Bayern. Our club is one of the best in the world
Diego Maradona: Messi gave Barca everything, brought them to the top. He was not treated the way he deserved
Federico Chiesa: I hope to leave my mark in Juve. We will achieve great results
The Coach Of Benfica: I don't want us to look like the current Barcelona, it has nothing
Guardiola on returning to Barca: I'm happy at Manchester City. I hope to stay here
Fabinho will not play with West ham due to injury
Ronald Koeman: Maradona was the best in his time. Now the best Messi