Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Në këto zgjedhje ka komisionerë edhe opozita shqiptare, jo vetëm pushteti

Në zgjedhjet lokale të së dielës për herë të parë në Maqedoninë e Veriut do të përdoret edhe teknologjia e identifikimit biometrik të qytetarëve përmes shenjave të gishtërinjëve. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka siguruar aparatet e nevojshme teknologjike dhe ka trajnuar stafin për përdorimin e tyre. Në raste kur mund të ketë probleme me teknologjinë, mbi 400 inxhinierë të informatikës do të jenë të gatshëm për ndihmë.

Aleksandar Dashtevski, kryetar i KSHZ-së
“Për këtë proces kemi siguruar 400 IT persona që do të ndihmojnë, prej të cilëve 320 i ka siguruar KSHZ-ja dhe 80 kompania e cila na ka furnizuar me teknologjinë e fingerprint. Gjithashtu kemi organizuar edhe 2 call center me 90 persona, sepse vlerësojmë se një pjesë e madhe e problemeve mund të zgjidhen përmes telefonit. Por nëse ka nevojë, në çdo komision komunal do të ndihmojnë këta 400 IT inxhinierë në vendngjarje”.

Në raste të veçanta kur paraqiten probleme që nuk mund të mënjanohen as nga inxhinierët e informatikës, atëherë do të votohet sipas mënyrës tradicionale, identifikim me lambë dhe ngjyrosje e gishtit me sprej. Por kryetari i KSHZ-së Aleksandar Dashtevski shpjegoi se ky variant vlen vetëm për raste ekstreme që nuk priten të jenë të shumtë në numër.

Aleksandar Dashtevski, kryetar i KSHZ-së
“Do të ndërmarrim të gjitha masat që të mos ndodh ndërprerje e votimit përmes teknologjisë fingerprint. Tani nëse eventualisht ndodh diku që të shkatërrohen pajisjet dhe të mos mund të vazhdojë përdorimi i tyre, në atë rast shkohet sipas formës tradicionale të votimit. Por të mos keqkuptohet se ky do të jetë rregull, ky është përjashtim në raste ekstreme”

KSHZ njoftoi se zgjedhjet e nesërme do t’i mbikëqyrin 1247 mbikëqyrës, prej të cilëve 870 vendas dhe 367 të huaj. Gjithashtu, për ndjekjen e zgjedhjeve janë akredituar edhe 10 gazetarë të huaj. Për dallim prej zgjedhjeve të kaluara, në këto zgjedhje ka vëzhgues edhe opozita shqiptare, e jo vetëm pushteti, që sipas ekspertëve, rrit edhe më shumë sigurinë se nuk do të ketë manipulime zgjedhore./Shenja