Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Nga nëntori hyrja nëpër kafene me dy doza të vaksinës

Qeveria e Maqedonisë së Veriut dje në seancën e 115-të në pajtim me gjendjen momentale epidemiologjike në vend, me propozim të Komisionit për Sëmundje Infektive miratoi masa të reja. Nga muaji nëntor hyrja nëpër kafene do të lejohet, vetëm nëse qytetarët posedojnë certifikatë të dy dozave të vaksinave, apo vërtetim se kanë kaluar kovidin në 45 ditët e fundit.

QEVERIA

“Deri më 14 nëntor 2021 nevojitet vërtetim për vaksinim nga coronavirusi me të paktën një dozë të vaksinës, ndërsa nga 15 nëntori do të kërkohet doza e dytë e vaksinimit ose certifikatë se je infektuar në 45 ditët e fundit”

Gjithashtu, Ekzekutivi ka miratuar masa lehtësuese për organizimin dhe mbajtjen e seminareve, trajnimeve, kurseve, në pjesën e mbyllur të objekteve deri në 50 për qind të kapaciteteve të hapësirës. Me vendim të Qeverisë, lejohet edhe puna e bareve dhe klubeve të natës, si dhe objekteve hotelierike të cilat janë regjistruar për ahengje, dasma, ditëlindje dhe organizmie të ngjashme, në 50 për qind të kapaciteteve së hapësirave.

QEVERIA

“Lejohet hyrja në çfarëdo lloj objekti të llojit të hapur dhe të mbyllur, objektet hotelierike (kafiteri, restorante, bare, klube nate – diskoteka), në objektin hotelierik/pjesa për ushqim në objektet hotelierike për akomodim (hotel, motel, hostel, pansion dhe objekte të tjera për akomodim), në pompat e benzinës, në kasino dhe bastore, në objekte të tjera të cilat në kuadër të së njëjtit japin shërbime hotelierike, në objektet hotelierike të cilat janë të regjistruara për festa (ahengje, dasma, ditëlindje, seminare, trajnime, kurse, takime, punëtori, konferenca, ngjarje kulturore apo sportive)”

Masat lehtësuese vlejnë për ata persona që posedojnë njërin prej dokumeteve të cilat janë cekur më lartë.

Ndërkaq,  ende nuk ka ndryshim të masave në pikat kufitare, që domethënë se për çdo hyrje dhe dalje nga shteti, kërkohet certifikatë e vaksinimit me dy doza, vërtetim për kalimin e kovid-19 në 45 ditët e fundit dhe  test PCR në 72 orët e fundit. Nga ky vendim përjashtohen qytetarët që tranzitojnë përmes Maqedonisë së Veriut, të cilët në pikën kufitare hyrëse nënshkruajnë Deklaratë për tranzitim.