TIRANË

Analisti Fatos Lubonja thotë se ajo çka i mungon Shqipërisë sot është një parti e majtë që mund të përfaqësojë shtresat më të brishta të shoqërisë. Duke iu referuar deklaratave të dy përfaqësuesve të Nismës Thurje, Rudina Hajdari dhe Endri Shabani, Lubonja tha në mënyrë figurative në “Real Story” në News24 se anija është batuar nga PS dhe Edi Rama dhe se duke mos qëndruar as majtas dhe as djathtas, kjo lëvizjes qëndron në mes dhe nuk ka asnjë rol, duke ndihmuar në mbytjen e anijes.

“Ky është një debat shumë i rëndësishëm. Meqenëse filloi nga ana ideologjike po hedh nja dy teza. Përtej debatit ideologjik ka dhe një debat të pragmatizmit politik. Po filloj nga teza, që të dy thonë në një farë mënyre që jemi pak përtej të majtës dhe të djathtës dhe janë për ata të pa përfaqësuarit dhe një tezë tjetër që janë 4 veta që marrin gjithçka dhe duam të bëjmë rishpërndarje.

Nuk janë 4 veta që marrin gjithçka. Janë në krye të një sistemi që ka të bëjë në fund fare se çfarë përfaqësojnë partitë tona, janë të majta apo të djathta. Partitë tona kanë qenë të të fortëve, të oligarkëve.
Ajo çka i mungon Shqipërisë sot është pikërisht një parti e majtë që mund të përfaqësojë shtresat më të brishta të shoqërisë, që kanë nevojë për rishpërndarje më të mirë. Artikulimi i një të majte sot mungon. Shabani foli për shkallë sociale. Një e djathtë sociale dhe një e majtë radikale janë dy opsionet që po jep bota. Ajo që po ndodh realisht në Shqipëri është se nëse partitë e oligarkëve kishin tre parti oligarkësh, sot me një prirje të theksuar të PS dhe Edi Ramën në krye të saj kemi prirjen për eliminimin e këtyre të tjerave dhe kontrollimin e sistemit nga një parti e vetme. Ka vënë në rrezik thelbin e demokracisë në Shqipëri, lirinë e shprehjes dhe vetë pluralizmin politik. Ju vini me idenë e një pluralizmi politik ndërkohë që rreziku më i madh është eliminimi i pluralizmit politik. Në momentin që krijohet një parti dhe hyn në zgjedhje, figura që kam përdorur është një anije e batuar. Kur anija batohet kështu unë shkoj në anën tjetër. Anijen e ka batuar PS me Edi Ramën. Pozicioni i tyre është në qendër dhe nuk luan asnjë rol. Në vend që të shkojnë në anën tjetër që të balancojnë anijen që të krijohet mundësia e pluralizmit, me pozicionin e tyre po ndihmojnë fundosjen e plotë të anijes, pra janë në shërbim të Edi Ramës”, deklaroi Lubonja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb