Ndryshimet klimatike së shpejti do t’i japin botës një goditje të fortë, paralajmëron një raport i ri i Kombeve të Bashkuara. Raporti analizon përkeqësimet e tokës bujqësore dhe arrin në përfundimin se ndryshimet klimatike do të vënë në rrezik prodhimin ushqimor dhe do të rëndojnë problemin e urisë:

Temperaturat e larta rekord të kohëve të fundit sollën shkrirjen më masive brenda një muaji në Groenlandë, duke paralajmëruar ngritje të frikshme të nivelit të detit.

Një studim i OKB-së paralajmëron se në vitet e ardhshme ndryshimet klimatike mund të ndikojnë në sasinë e ushqimit që prodhon njerëzimi:

“Megjithë shtimin e prodhimit bujqësor, rreth 821 milionë njerëz nuk kanë ushqim të mjaftueshëm. Ndryshimet klimatike do të sjellin rënie të prodhimtarisë, rritje të çmimeve, ulje të cilësisë ushqyese të produkteve dhe ndërprerje të linjave të furnizimit,” thotë Panmao Zhai, shkencëtar në Komisionin e OKB-së për klimën.

Shkencëtarët në Komisionin e OKB-së për klimën thonë se faktorët e shkaktuar nga njeriu kërcënojnë ekosistemet e brishta të planetit:

“Parashikohet një ndikim më i madh mbi tokën bujqësore si rezultat i mungesës së ujit, zjarreve dhe ndryshimeve në shtresën e ngrirë të dheut. Në brezat më të ngrohtë klimatikë mund të bjerë kapaciteti i tokës për thithjen e karbonit,” thotë zoti Panmao Zhai.

Anëtarët e komisionit bëjnë thirrje për përpjekje globale për të luftuar ndryshimet klimatike:

“Për të mbajtur ngrohjen globale deri në 1.5 apo 2 gradë duhet të eliminojmë gazin karbonik nga atmosfera. Toka luan një rol kritik në eliminin e këtij gazi,” thotë Jim Skea, shkencëtar në Komisionin e OKB-së për klimën.

“Bimësia dhe toka thithin 1/3 e gazeve karbonike që çlirohen nga djegia e karburantit dhe qymyrgurit si dhe nga aktiviteti industrial. Menaxhimi i qëndrueshëm i tokës mund të përmirësojë sasinë e gazeve që thithin bimësia dhe toka, duke eliminuar nganjëherë efektet negative të ndryshimeve klimatike,” thotë Priyadarshi R. Shukla, shkencëtar, Komisioni i OKB për klimën.

Shkencëtarët thonë se këto efekte negative mund të zbuten duke reduktuar mbetjet ushqimore dhe me një bujqësi më dinamike:

“25-30 për qind e ushqimit shpërdorohet. Nëse reduktojmë humbjet ushqimore mund të ulim trysninë mbi tokën dhe të pakësojmë sasinë e gazeve karbonike. Po ashtu me një dietë më të balancuar mund t’u përshtatemi më mirë ndryshimeve klimatike,” thotë shkencëtari Skea.

Komisioni nuk dikton haptazi se çfarë duhet të hanë njerëzit, por rekomandon uljen e konsumit të mishit të gjedhëve duke shtuar konsumin e ushqimeve bimore si rrugëzgjidhje për të ulur deri në 15% brenda vitit 2050 sasinë e gazeve që çlirohet në atmosferë./VOA