Emisioni ‘’Real Story’’ i Sokol Ballës në News24 ka trajtuar edhe çështjen e fotove nga morgu i Tiranës të cilat tregonin pamje të rënda të trupave të vdekur të mbuluar dhe të hedhur përtokë.

Analisti Gjekmarkaj është i mendimit se fotot bënë mirë që dolën pasi duhet respekt për të vdekurit. Për të, të vdekurit nuk janë thasë më patate dhe fotot mund t’u shërbejnë punonjësve të morgut që herës tjetër t’i respektojnë edhe të vdekurit.

Fotot u shpërndanë në disa prej mediave të vendit, teksa u publikuan pas denoncimit të opozitës se po fshihet numri i viktimave nga COVID-19, por që në fakt ato pamje nuk dolën apo u publikuan nga PD apo ndonjë përfaqësues i saj.

DEBATI NË REAL STORY

AGRON GJEKMARKAJ: Nuk shkoj asnjëherë të bëj prokurorin moral, shenjtorin a priftin. Mjekët e kanë bërë më shumë nga çfarë kemi pritur. Tehu i asaj që thashë unë nuk shkon ndaj mjekëve. Këtu çdo gjë politizohet, mjekët të paktën mos hynë mes Bashës e Ramës

Bashkohem për etikën e vdekjes me Vasjarin. Ato foto është mirë që u botuan, edhe në morg meritojnë respekt. S’janë thasë me patate. Njerëzit i përcjellin në çdo katund të vdekurit respektohen.

Këto foto duhet të shërbejë që në morg t’u shërbejnë me respekt të vdekurve. Në çdo rast të vdekurit meritojnë respekt.

Analisti Vasjari shpjegon nga ana tjetër se çështja e morgut dhe të vdekurve nuk duhet politizuar pasi është thjesht provë e një fluksi të tmerrëshëm që duhet të përballen tashmë spitalet.

ARJAN VASJARI: I kanë lënë nga pamundësia e fluksit. Pamundësia reale për t’i vendosur të gjithë aty. Foto të tilla ka në gjithë morgjet e botës. Thjesht dhe vetëm prova e një fluksi të tmerrshëm që duhet të përballen spitalet. Është procedurë, por jemi në gjendje të jashtëzakonshme. Morgjet janë në gjendje të jashtëzakonshme. Por nëse themi se është faji i kryeministrin që janë ato morgje ashtu, i tejkalon caqet.

Ish-ministri i Shëndetësië, Gjergji Koja ndërkohë e ka dënuar këtë veprim duke theksuar se ato pamje ishin horror dhe erdhën fill pas akuzës së rëndë të opozitës që po fshihet numri i të vdekurve.

GJERGJI KOJA: Fotot e publikuara janë pasoja e asaj që nisëm të themi, e akuzës së rëndë të opozitës që po fshihet numri i të vdekurve.

Horror, s’duhet të shfaqen kurrë, madje në një shoqëri të civilizuar. Politizuan tamponët, spitalet, u lutën segmente të tëra që spitalet të binin kolaps, spitalet nuk bien në kolaps. Të vijë momenti që opozita të politizojë vdekjet, është e patolerueshme. Jemi në një situatë të rëndë, sa që mjekët marrin një goditje të madhe, sanduiç politik që opozita të bëjë një autogol të paparë, dhe të godasim ata që deri pak më parë i cilësonin heronj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb