Kryeministri Edi Rama foli nga Libani për nxjerrjen nga kampi “Al Hol” të gruas me 3 fëmijët dhe Endri Dumanit, duke thënë se kjo i hap rrugën fazës tjetër për të shpëtuar edhe të tjerët.

“Po kthejmë katër fëmijë shqiptarë dhe një nënë të plagosur nga kampi i ferrit në Al Hol, nesër në atdhe falë një operacioni të ndërlikuar dhe pas më shumë se një viti përpjekje. Së shpejti edhe fëmijët e tjerë.

Jam i lehtësuar. Nesër do të takojmë gjeneralin që ka qenë një ndihmë shumë e madhe për ne. Dua të veçoj meritën e dy figurave të posaçme, drejtorit të anti-terrorit dhe punonjësit tjetër të policisë që kanë operuar gjatë gjithë kohës në territor dhe konsullin e nderit të Shqipërisë në Liban. Na ka ndihmuar për të bërë ato lidhjet me faktorët.

Jam shumë i kënaqur, që nesër paradite bashkë me kalamajtë do të kthehemi në Tiranë. E ëma e fëmijëve të vegjël është në një gjendje të vështirë ka një plagë në trup, por edhe ajo do të vijë me ne. Ky operacion i hap rrugën fazës tjetër. Presim sinjalin e fundit për të marrë edhe fëmijët e tjerë. Endri po kthehet, Eva është mirë, por informacionet janë pak të komplikuara”, tha Rama nga Libani.

I pyetur për Eva Dumanin, kryeministri duke mos dashur të japë shumë informacione tha: Eva është mirë, por janë të komplikuara informacionet.

Por çfarë ndodh më pas?

Rama: Kemi një strukturë që është e organizuar nën masa sigurie, psikologë, mjekë për të bërë analizat, do shohim si do zhvillohen gjërat.

Ndërkohë i pyetur se kur do të fillojë faza e dytë e këtij procesi, me qëllim kthimin e të tjerëve në shtëpi, kreu i qeverisë u shpreh: “Pjesa më e vështirë është ajo për të nxjerrë pengjet, po ashtu është që nuk mund të flasësh, informosh, sepse konfidencialiteti është baza në këtë proces. Nuk është një ndërveprim me një faktor por me shumë. Më vjen mirë të them se ne nuk kemi qenë në gjumë, tani unë nuk mund të flasë për më shumë. Edhe për këta fëmijë deri në momentin e fundit kemi qenë më zemër të ngrirë, ka pasur dy-tre momente te vështira në këtë operacion”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb