TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Grupi Parlamentar i Partia Socialiste i ka kërkuar Kuvendit ngritjen e një Komisioni të Posaçëm mbi administrimin e dokumentacionit dhe hartimin një raporti përmbledhës dhe informues mbi gjetjet dhe konkluzionet që kanë nxjerrë verifikimet e kryera nga institucionet përkatëse në Shqipëri mbi çështjet e raportit të anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Dick Marty.

Raporti do të përqendrohet veçanërisht “mbi bashkëpunimin dhe rolin për të cilin pretendohet se kanë luajtur përfaqësues politikë shqiptarë ose institucione publike shqiptare, nëpërmjet veprimeve ose mosveprimeve, në ndihmë të së ashtuquajturës veprimtari kriminale e drejtuesve të UÇK-së në territorin e Republikës së Shqipërisë”.

Sipas kërkesës së dorëzuar në Kuvend që mban firmat e 18 deputetëve të PS, objektivi i Komisionit do të jetë formulimi brenda tre muajve i një raporti të detajuar mbi gjetjet e të gjithë institucioneve shqiptare mbi këtë çështje delikate.

Po ashtu, Komisionit të posaçëm parlamentar do t’i vihen në dispozicion dokumentacioni i plotë që disponojnë institucionet publike, sipas legjislacionit në fuqi lidhur me dokumentacionin zyrtar dhe atë të klasifikuar.

/m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.