Qeveria ka rihapur tenderin ndërkombëtar për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë. Në mars të 2021 qeveria e anuloi tenderin duke përjashtuar të 6 kompanitë që morën pjesë pasi nuk plotësonin dokumentacionin e duhur.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka publikuar dokumentet standarde të tenderit për procedurën e hapur të punëve publike për tunelin e Llogarasë. Fondi limit është 18.9 mld lekë ose 153 milion euro dhe ofertat për shoqëritë e interesuara do të priten deri më 28 korrik dhe nëse nuk do të ketë ankesa pritet që punimet për këtë vepër të nisin në fund të vitit.

Tuneli i Llogarasë do të financohet me paratë e buxhetit të shtetit. Ai do të jetë i gjatë 5.9 kilometra dhe do të lidhet në hyrje dhe dalje të tij me dy ura, nga 110 dhe 40 metra të gjatë. Sipas llogaritjeve, duke kaluar përmes tunelit prej 6 km, me një shpejtësi 50-80 km/orë, do të bënte që kjo rrugë të përshkohej për 7-10 minuta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb