Ai konsiderohet si një nga lojtarët më të mirë të historisë së futbollit, por nuk e quan veten perfekt. Lionel Mesi thotë se duhet të përmirësohet në goditjet e penalltive, por tregon se kjo nuk është diçka e lehtë. Në një intervistë për “TDT”, kapiteni i katalanasve tregon se nuk ka dëshirë t’i shohë përsëritje ndeshjet ku luan vetë, por as të studiojë kundërshtarin.

Gjithashtu, Mesi thotë se në futbollin e sotëm nuk ka më një Iniesta apo Ksavi dhe tregon raportin e bukur që ka në fushën e lojës me Albën.

NDESHJE- “Më pëlqen të shoh ndeshje të La Ligës, por edhe futbollin argjentinas dhe Kupën Libertadores, edhe pse është shumë vonë”.

PËRSËRITJE- “Jo. Ndeshjet e mia nuk i shoh kurrë. Nuk më pëlqen t’i shoh. Shoh përpara dhe jo të shkuarën”.

EVOLUCION- “Është një proces normal. Kur debutova isha 17 vjeç dhe luaja në një tjetër pozicion dhe me tjetër mënyrë. Por tani kam ndryshuar shumë”.

PENALLTITË- “Do të më pëlqente që të isha më shumë efektiv nga pika e bardhë. Por është e vështirë të përmirësohesh në stërvitje. Aty mund t’i shënosh të gjitha, ndërsa në ndeshje është ndryshe. Idetë i kam më të mira, por sigurisht që do të doja të isha më i mirë”.

POZICIONI- “Më pëlqen të luaj si tani. Ekipet kundërshtare mbrohen me shumë forca dhe për mua është më mirë që të jem më i tërhequr për të avancuar. Më mirë nga krahët, sepse në qendër nuk ka hapësira”.

STILI- “Ne jemi Barcelona, por është e vërtetë që lojtarë si Buskets, Ksavi dhe Iniesta na kanë bërë që të zotërojmë topin 90%. Por sot në botë nuk ka një Ksavi apo një Iniesta. Nuk dua të them se këta që jemi nuk janë lojtarë të mirë, por ata ishin unikë. Megjithatë, stili nuk ka ndryshuar”.

RIVALI- “Nuk më pëlqen të studioj rivalin. I njoh ngaqë i shoh në televizion, por edhe ngaqë kam luajtur ndaj tyre. Në fakt, nuk më pëlqen t’i studioj edhe për faktin se në fushë ndodhin të tjera gjëra, ndryshe nga ato që mësojmë në teori”.

SUAREZ– “Më mbështet shumë. Duke e pasur atje përpara e kam më të lehtë që të jap pasimin. Ai bëhet gjithmonë një opsion i mirë, sepse largohet nga zona e rivalëve dhe na jep shumë besim”.

ALBA- “Nuk e di nga lindi raporti ynë në fushën e lojës. Ne merremi vesh shumë mirë në fushë dhe pa e parë njëri-tjetrin. Ndonjëherë i them se duhet që ta mbyllë vetë aksionin dhe të shënojë, por ai më thotë se preferon më shumë të japë asiste sesa të bëjë gol”.PanoramaSport

(BalkanWeb)