logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo logo
star Bookmark: Tag Tag Tag Tag Tag
Albania

“Saliu e tentoi me Mit’hatin, por u tërhoq. E çoi Edi Rama në fund”

Broçkulla, përralla, lojëra fjalësh – i quan ish-presidenti Alfred Moisiu, termat e sajuar nga Akademia e Shkencave për konferencën e saj mbi 75 vjetorin e Çlirimit.

“Atëherë kur kërciste pushka, këta pa armë futeshin vrimave. Ose ishin bërë njësh me pushtuesit e luftonin kundër partizanëve” – thotë ish-presidenti në një intervistë për Dita, botuar numrin e sotëm të gazetës.

Ai tregon edhe një episod nga viti i largët 1995…

– Zoti President, besoj se e keni ndjekur debatin lidhur me një konferencë të paralajmëruar nga Akademia e Shkencave me rastin e 75-vjetorit të çlirimit. Pavarësisht se është një temë e stërnjohur për ju, duam të dimë mendimin tuaj për këtë konferencë?

– Natyrisht që e kam ndjekur dhe po e ndjek këtë debat. Më çudit fakti se si Akademia e Shkencave ra në një kurth të tillë në prag të festimit të 75-vjetorit të çlirimit të Atdheut. Unë e kam konsideruar të mbyllur këtë çështje për historinë e luftës antifashiste dhe u habita kur pashë se u rihap sërish.

Ju bëtë mirë si gazetë që u fokusuat në këtë temë dhe unë kam ndjekur mendimet e historianëve tanë më të mirë. Jam plotësisht dakord me mendimet e tyre për këtë çështje. E kam thënë dhe e përsëris vazhdimisht se Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare është një nga faqet më të ndritura të historisë sonë kombëtare. Lufta Antifashiste është margaritar në historinë tonë. Pa atë luftë nuk do të kishte sot Shqipëri…

– Në konferencën e paralajmëruar të Akademisë do t’i mëshohet fort “antifashizmit pa armë dhe pa uniformë”… Sa racionale është kjo ide?

– Janë të gjitha përralla këto që dëgjojmë tani. Nuk ka antifashizëm pa armë dhe pa uniformë. Fashizmi erdhi i armatosur gjer në dhëmbë, erdhi me tanke e avionë, me të gjitha llojet e armëve. Ai nuk mund të shporrej veçse me armë, me një organizim të madh dhe këtë e arriti lufta jonë antifashiste nacionalçlirimtare.

Unë kam pasur tim atë, Gjeneral Spiro Moisiun në krah të Enver Hoxhës që ishte udhëheqësi kryesor i luftës, por flas edhe nga përvoja ime personale, pasi kam qenë pjesëmarrës në atë luftë, madje shumë pranë kupolës më të lartë të ushtrisë partizane.

Ua kam thënë në një intervistë të mëparshme në DITA, se isha pa mbushur10 vjet, kur Shqipëria u pushtua nga fashistët italianë. Të detyruar nga pushtimi që të gjitha familjet e oficerëve shqiptarë të garnizonit të Shkodrës morën rrugën për në Podgoricë të Jugosllavisë, dhe pas dy javëve të qëndrimit në atë qytet, policia jugosllave me forcë na detyroi të ktheheshim prapë nga kishim ardhur. Në Shkodër mbërritëm natën, të lodhur dhe të frikësuar nga ndodhitë, u detyruam të flinim tek fqinjët tanë. Në mëngjes kur dola në rrugë, si fëmijë që isha, u tremba kur pashë njerëz me uniformë ushtarake të panjohur, që flisnin një gjuhë të padëgjuar për mua! Më e keqja ishte se ata silleshin si zotër të vendit tim.

Këto momente për mua kanë qenë rrëqethëse dhe të paharrueshme, për gjithë jetën time. Pra, kur unë në atë moshë ndjeva urrejtje ndaj tyre, po të rriturit?! Sigurisht që ata e ndjenin veten edhe më keq. Sigurisht që ajo gjendje emocionale u shtua edhe më shumë kur më pas pamë ndryshimin e flamurit dhe që shqiptarët e shihnin veten si të huaj në vatrën e tyre, pra u realizua pushtimi i Shqipërisë.

E pikërisht ajo situatë e ndodhur që gjithkush që ndjeu çizmen e të huajit rrëmbeu armët dhe doli në male. Sikurse dihet, lufta u organizua në çeta, më pas në batalione e mandej në brigada e divizione…

– Ky është perceptimi juaj si antifashist. Po si i bëhet që tani kërkojnë ta marrin meritën ata që bënë rezistencën antifashiste pa armë?

– Janë lojëra fjalësh. Atëherë kur kërciste pushka, këta pa armë futeshin vrimave. Ose ishin bërë njësh me pushtuesit e luftonin kundër partizanëve. Dhe në atë luftë dhanë jetën mijëra dëshmorë, bijë e bija të këtij populli. E ngatërrojnë kot luftën me historinë e pasluftës. Ajo luftë pati edhe viktima të shumta, e sidomos të rinj e të reja.

Kush ka shkuar në varrezat e dëshmorëve kanë parë se aty gati 80% e atyre që dhanë jetën kanë qenë të moshave nga 16 deri 22 vjeç, të cilët në kohën më të bukur të tyre, në lule të rinisë dhanë jetën për çlirimin e vendit. A mos menduan ata që do të bëheshin gjeneralë apo ministra, dhe titullarë pas lufte?! Kurrsesi, askush nuk e kishte idenë për këto. Pa folur këtu për pikëpamjet komuniste, as që mendonte kush gjëra të tilla, veçse secili mendonte në radhë të parë që të çlirohej Shqipëria, të ndërtohej një shtet demokratik dhe me barazi sociale, në mënyrë që të gjithë pas çlirimit nga i huaji të jetonin të lumtur në këtë vend.

– Duket se qëllimi i kësaj konference ka të bëjë me rektifikimin e disa fakteve historike dhe sidomos me rehabilitimin e disa figurave të ashtuquajtura nacionaliste, që në të vërtetë bashkëpunuan me pushtuesit. E kam fjalën për Ballin Kombëtar dhe zogistët…

– E kuptoj, e kuptoj qëllimin, por mendoj se e kanë të kotë mundimin. Bashkëpunëtorët e fashizmit nuk mund të konsiderohen si antifashistë as pas një mijë vjetësh. Po ky është një nga paradokset e politikës shqiptare pas vitit 1990.

Ua kam thënë dhe herë tjetër se historia është shkencë dhe për historinë e Luftës sonë antifashiste ka dokumente të panumërta, madje edhe nga vetë pushtuesit që vërtetojnë drejtësinë e luftës sonë. Ju keni bërë mirë që në gazetën DITA keni kundërshtuar rreptë rehabilitimin e kryetarit të Ballit Mit’hat Frashëri nga qeveria aktuale socialiste.

Në lidhje me këtë problem dua të kujtoj një rast të vitit 1995, kur Presidenti i asaj kohe ngriti një strukturë ad-hoc me detyrë për të rivlerësuar figurat e ndryshme historike të lëna në harresë. Për mendimin tim ishte një vendim i drejtë. Në atë komision isha caktuar edhe unë. Në takimin e parë, nga disa anëtarë të komisionit, u ngrit problemi i rehabilitimit të Mit’hat Frashërit, të cilët argumentuan se ajo figurë duhet vlerësuar me një dekoratë të lartë. Në atë çast ndërhyra duke i thënë Presidentit Berisha që unë nuk isha dakord dhe pse, arsyetimi ishte shoqëruar me një argument bindës historik.

Pikërisht mora si shembull Marshallin e Francës Peten, i cili megjithëse pas Luftës së Parë Botërore ishte shpallur hero i atdheut, dhe në Verdun ku ishin varrosur ushtarët francezë të rënë betejë, ishte parashikuar edhe varri komandantit të tyre, pas Luftës së Dytë Botërore, për veprimet e tij në lidhje me nazizmin, Peteni dënohet me vdekje nga gjykata franceze, ku dhe u fal nga De Goli, që në atë kohë ishte Kryetar i Shtetit, duke ia kthyer dënimin nga me vdekje në burgim të përjetshëm. Më pas, kur ai në moshën 95 vjeçare vdiq në burg, familjarët kërkuan ta varrosnin në Verdun, bashkë me ushtarët e tij të Luftës së Parë Botërore, por shteti francez nuk pranoi.

U zbatua rregulli si për të gjithë të dënuarit, u varros në varrezën e burgut. Në këtë mënyrë mesazhi që jepej ishte se kush punon kundër interesave të vendit dhe tradhton, pavarësisht kontributeve, merr atë që meriton.

Mandej Berisha u tërhoq. Tani nuk e kuptoj se si u mor vendimi që u realizua për nderimin e Mit’hat Frashërit vitin e kaluar. E kam thënë dhe e përsëris: Rama ka gabuar.

– Po fatin e kësaj konference të Akademisë si e shikoni?

– Ata të Akademisë duhet t’i thërresin mendjes. Konferenca ose nuk duhet të bëhet ashtu siç është menduar, ose duhet të ndryshojë rrënjësisht thelbin e saj. Sepse Akademia është shtetërore dhe shpreh një qëndrim zyrtar.

Ky 75-vjetor i çlirimit duhet të shërbejë për të evidentuar vlerat e mëdha të Luftës sonë Antifashiste, heroizmin e dëshmorëve të saj dhe jo të bëjë të kundërtën duke rehabilituar kolaboracionistët. Tezat e antifashizmit pa armë janë broçkulla. Pasi kam folur shpesh herë për këtë temë, nuk dua të zgjatem. Por nuk mund të rrija pa e thënë mendimin tim mbi një përpjekje për të hedhur baltë mbi luftën tonë antifashiste.

****
Bisedoi Xhevdet Shehu. Botuar në Dita. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë

All rights and copyright belongs to author:
Themes
ICO