TIRANË, 17 maj/ATSH/ Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi deklaroi sot se goditja e kontrolluar e grupit kriminal që tentoi të trafikonte rreth 400 kg lëndë narkotike e llojit kokainë në Kosovë, është një tjetër dëshmi e suksesit të luftës së përbashkët kundër trafikut të drogës dhe provë e besimit të lartë të partnerëve te Policia e Shtetit.

Sipas Çuçit, kjo është një luftë e vazhdueshme për ta bërë Shqipërinë dhe rajonin më të sigurt.

“Hetimi profesional dhe intensiv mes disa shteteve na çoi në shkatërrimin e një rrjeti të fuqishëm në fushën e narkotikëve. Kjo është një luftë e vazhdueshme, që do të pasohet nga operacione të tjera dhe goditje si kjo e fundit, për ta bërë Shqipërinë dhe rajonin më të sigurt”, tha Çuçi.

Gjatë ditës së sotme janë arrestuar 7 persona nga Kosova dhe janë konfiskuar 400 kg kokainë në Lipjan të Kosovës.

Operacioni u krye në bashkëpunim me policinë shqiptare, kosovare dhe atë italiane, ku pala shqiptare për 15 ditë e kishte mbajtur në vëzhgim që nga ardhja në portin e Durrësit. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.