TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Forcat Speciale të Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës u trajnuan dhe stërvitën së bashku për rreth 3 javë në Zall – Herr, ku punuan mbi teknika të ndryshme në fushën e luftimit, duke simuluar situata reale.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, vizitoi sot nga afër stërvitjen e forcave speciale të dy vendeve, ndërsa u shpreh i impresionuar nga aftësitë e treguara nga Forcat Speciale gjatë stërvitjes me kolegët e tyre amerikanë.

Peleshi tha se “mbi të gjitha u ndjeva jashtëzakonisht krenar për vlerësimet maksimale që dëgjova nga përfaqësues të Forcave Speciale të SHBA për trupat tanë”.

“Dhënia e ndihmës së shpejtë, rivendosja e komunikimit duke memorizuar frekuencat, transportimi i municioneve, qitjet nga pozicione të ndryshme, të gjitha në mënyrë të njëpasnjëshme, ishin sa sfiduese, aq edhe mbresëlënëse”, – tha Peleshi.

Pas stërvitjes së suksesshme ushtarake “Defender Europe 21”, e cila përfundoi në Shqipëri muajin e kaluar, ushtarët amerikanë u stërviten së bashku me forcat tona në trajnimin e përbashkët njëmujor të kombinuar të shkëmbimit në bazën e Forcave Speciale shqiptare në Zall-Herr.

/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.