Albania

Të pathënat e Bamir Topit për 21 janarin: Tonet e forta në takimin me Ramën dhe si Berisha më çoi Bashën në zyrë. Pasi refuzova ofertën e tij, më rrethuan

Ish-kreu i shtetit, Bamir Topi ne librin e tij, “Nocturn Kur arsyeja errësohet nga pushteti”, nje kapitull te vecante ia kushton 21 janarit. 

Ne kete pjese, teksa zbardh detaje nga gjithe sa ka ndodhur pas ngjarjes se rende, qe u pasua me 4 protestues te vrare, Topi tregon per takimet e zhvilluar, mes te cilave edhe takimin me liderin e PS-se, Edi Rama. 

Rrëfimi i Topit 

Situata politike ishte e nderë, pasi një ditë më parë Sali Berisha kishte hedhur akuza të rënda ndaj meje dhe kishte ngritur një komision hetimor parlamentar për të hetuar institucionet e pavarura, ku nënkuptohej dhe Presidenti i Republikës. Po jap pak fraza për të kuptuar atmosferën.

Kur u fut në zyrën time, Edi Rama u shfaq me një shqetësim që i lexohej në fytyrë. Pesha e ngjarjeve, ku ai ishte një nga protagonistët kryesorë, si edhe netët pa gjumë gati-gati e kishin transformuar në fizionomi, gjë që e shprehu edhe vetë duke thënë:

E. Rama: Shqetësimi im është i madh pasi, së pari, shikoj një përshkallëzim të një lloj grushti shteti nga brenda shtetit pas vrasjes së katër njerëzve, gjatë demonstrimit të tyre politik; së dyti, frenimin e punës së organeve si prokuroria, për shkak të presionit të madh antikushtetues e fashist.

Më tej vazhdoi:

E. Rama: Nga ana tjetër, doja të ndanim bashkëkuptimin që kam unë lidhur me përkujtimin në formën e një proteste të heshtur në bulevard. Sigurisht e premtja është delikate, sepse ka shumë ngarkesë e emocion.

Ndërsa unë po dëgjoja me vëmendje çdo fjalë të tij, kishin filluar të dilnin deklaratat e para të ambasadorëve, që nuk e shikonin të përshtatshme zhvillimin e protestës përkujtimore të datës 28 janar. Për të dëshmuar se Drejtoria e Policisë së Shtetit mbante anën e qeverisë filloi të tregojë një episod të pakëndshëm gjatë një telefonate me drejtorin e përgjithshëm të Policisë.

E. Rama: Dikush i tha Hysni Burgajt se Edi të kërkon në telefon, duke menduar për Edi Palokën, pastaj e mori vesh që isha unë.

Duke menduar se ishte mbyllur linja, vazhdova të dëgjoj rreth 15 – 20 sekonda bisedën që bënte me njerëzit që ndodheshin aty duke më sharë me fjalë të ndyra e të gjitha banalitetet.

S’kishte kuptim ta merrja më dhe i çova një sms: “Pa dashur të ndërpres gallatën, mos harroni se bota rrotullohet. Aty ku të duket se s’mbaron nata, vjen dita. Të lutem liroje nënën me fëmijë në gji, që ishte kapur në demonstratë”.

Hysni Burgaj i ishte përgjigjur: Ka ditë që s’ka natë të mirë dhe arsyeja jeni ju politikanët.

Më tej Rama vazhdoi të thotë:

E. Rama: Një person nga brenda Gardës së Republikës më informoi se kryeministri ka thirrur gjashtë drejtuesit e Gardës, për të cilët prokuroria kishte nxjerrë urdhërarrestet, duke thënë: “Ju jeni heronj! Sa të jem unë, s’ka Zot që ju prek me dorë dhe t’ju detyrojë të paraqiteni në prokurori!”.

Më pas Rama më tha se kishte thirrur në një takim informues ambasadorët e akredituar në Tiranë dhe dha versionin e tij të zhvillimeve të datës 21 janar, që tashmë e kisha shumë të qartë se ç’kishte ndodhur, deri në detajet më të imta.

Pasi hodhi akuza për mjekët anatomo-patologë, që e cilësuan vrasjen nga afër, vlerësoi mrekullinë e gazetarit Artan Hoxha që kishte filmuar dhe denoncuar i pari që plumbat erdhën nga gardistët, brenda territorit të Kryeministrisë.

Me pak fjalë i them:

B. Topi: Ngjarjet e datës 21 janar ishin vërtet dramatike. Në fakt kjo histori e kishte preludin te përplasjet e forta në Kuvend, ngjarje që duhej të evitoheshin me çdo kusht. Se si, sigurisht nuk jam unë që mund t’ju jap skemën. Përveç krijimit të një psikoze të rëndë në popull, ndjeshmëria është rritur te ndërkombëtarët. Edhe RAIUNO fillonte lajmet me ngjarjet në Tiranë.

Sipas meje, institucionet e zbatimit të ligjit, duke nënkuptuar prokurorinë, janë duke bërë detyrën dhe do të kenë inkurajimin nga unë për të shkuar tek e vërteta. Ju z. Rama sot vini te presidenti me një shqetësim të natyrshëm, por duhet të dini që si kryetar shteti jam në vështirësi serioze, pasi jam në pamundësi të ftoj tryezën e partive, sepse në realitet kemi dy parti, madje dy individë.

Boll një nga këta dy individë të konfliktit të mos dojë të ulet në tavolinë, nuk ka takim. Kjo është situata reale ku e futët ju me Sali Berishën më 21 prill 2008 dhe presidenti, i vetmi instrument që ka, është t’i bëjë apel politikës për vetëpërmbajtje, t’u çojë mesazhe institucioneve për t’i inkurajuar dhe këtë po e bëj.

E. Rama: Zanafillën e historisë e krijoi videoja e Ilir Metës dhe qëndrimi absurd i kryeministrit që e mohoi.

B. Topi: Ajo solli tensionin në Kuvend.

E. Rama: Videoja dhe akuza që kam bërë unë e nxiti situatën. Kuvendi ishte një maskaradë e Berishës, i cili mori mikrofonin dhe shau sa deshi. Jam dakord me mendimin tuaj se edhe sjellja e demonstruesve e ka një kufi. Absolutisht nuk i ka nxitur njeri.

Unë një gjë u kam thënë: Maksimumi i tolerancës për të goditur institucionet është një këpucë e vjetër, çizme, vezë, domate, por jo gurë. Pasi folëm gjerë e gjatë për ndjeshmërinë e njerëzve për ngjarjet, sjelljen e ambasadorëve dhe sulmet politike ndaj prokurorisë, ai vazhdoi.

E. Rama: Në këto kushte shteti ka rënë, kur policia nuk zbaton urdhrat e prokurorisë.

B. Topi: Shteti nuk ka rënë, me gjithë presionin e tmerrshëm. Është shumë e rëndë ta thuash këtu tek unë atë konstatim. Shteti ka problemet e veta, por nuk është rrëzuar. A nuk je këtu duke biseduar me shqetësim me kreun e shtetit.

E. Rama: Ka rënë shteti në kuptimin se ai nuk garanton më zinxhirin e gjithë procesit.

B. Topi: Procesi ka kaluar në gjykatë. Ne tentojmë t’i përmbahemi kuadrit ligjor, ndonëse ka probleme të funksionimit.

E. Rama: Si ka kaluar në gjykatë?

B. Topi: Ajo që nuk arriti ta bëjë prokuroria sot ka kaluar në gjykatë.

E. Rama: E ka kaluar prokuroria në gjykatë?

B. Topi: Po. Aty kuptoja që ishte i painformuar mirë. Edhe një herë i thashë me ton të fortë:

B. Topi: Nuk mund ta thuash më “Ka rënë shteti!”. Nuk mund ta gëlltis këtë shprehje, sepse unë jam këtu, në çdo rrethanë. Nuk jam si pjesëtar i ndonjë partie politike, por si kryetar shteti.

E. Rama: Nuk e kisha te ju, madje te Babaramo dje thashë se Presidenti i Republikës është i mirinformuar dhe tërësisht i shqetësuar, por të kërkosh nga presidenti që të japë mesazhe të një natyre që nuk lidhen me natyrën e tij kushtetuese, do të thotë të kuptosh se këtu nuk ka mbetur realisht asgjë tjetër.

B. Topi: Sigurisht që do të thotë të bëhesh palë. Duke vazhduar dialogun, pa dashur kishte kuptuar që ishte bashkarkitekt i ndryshimit të Kushtetutës.

E. Rama: Këtu nuk ka arbitër, sepse faktikisht në këtë Republikë Parlamentare, nuk lejohet Presidenti i Republikës të futet midis palëve, por mund të japë vetëm mesazhe.

B. Topi: Ekzakt! Kjo është bërë edhe me ndihmën tënde. Mbasi e kaloi këtë moment vazhdoi:

E. Rama: Ne nuk kërkojmë të vijmë në pushtet me demonstratë, por të rivendosim rregullat e lojës; këta i prishën rregullat, është marrë topi, është nxjerrë nga stadiumi fare e lëvizin të gjithë pa top dhe ai e nxjerr rezultatin në tabelë; kjo është qesharake.

Në këtë kohë në prag të botimit të librit, historia tregoi që këtë gjë po e aplikon fort vetë Edi Rama, pasi është çështje e sistemit të ndërtuar me “armikun” e tij politik. Në fund të bisedës, duke bërë shenjën e përfundimit të takimit, në këmbë i ritheksova:

B. Topi: Unë i qëndroj mesazhit se partitë politike duhet të respektojnë shtetin dhe ata që punojnë për shtetin të respektojnë fort ligjin.

E. Rama: Absolutisht po! Në këtë çast i dhashë shenjë znj. Pavlina të largohej, pasi doja të ndaja në mënyrë konfidenciale një informacion serioz, që shefi i shërbimit të SHISH-it më kishte sjellë me urgjencë.

B. Topi: Tani duhet të ndaj diçka serioze që ka të bëjë me ty. Bahri Shaqiri, në zarfin e urgjencës së lartë më kishte informuar se jeta e Edi Ramës rrezikohej seriozisht dhe ndërkohë që po e informoja, fytyra e tij mori një pamje të zbardhur, ku dalloja lehtësisht bulëzat e djersës që i mbulonin ballin.

Rrëfimi i Bamir Topit, për “ofertën” e Berishës

Bamir Topi rrëfen në librin e tij, edhe prapaskenat me Berishën. Sipas tij, ai i ka çuar Lulzim Bashën në zyrë, që ta ndihmonte për të mbuluar krimin. Topi s’pranoi dhe pastaj ndaj tij nisën sulmet e egra.

“Viti 2011 solli në plan të parë një video të Ilir Metës, i filmuar nga Dritan Prifti, ish mik i afërt me të, që solli një reagim të ashpër të opozitës socialiste. Përveç të tjerash Meta ishte tanimë aleat dhe zv/kryeministër i Berishës.

Studiot televizive zienin nga kjo video. Parlamenti u ndez, pasi aty kërkohej dorëheqja e Metës dhe rrëzimi i qeverisë. Ky tension ditë pas ditë vinte duke akumuluar dhe paralajmëronte një shpërthim të protestave popullore që dirigjoheshin nga partitë opozitare, liderët të cilave përgjithësisht takoheshin në mjediset e kullave përballë Kryeministrisë.

Ishin thuajse të gjithë: Zogaj, Ndoka, Dule, Gjinushi, Milo etj., nën komandën e Ramës, i cili kishte rritur ndjeshëm dozat e agresivitetit kundër qeverisë dhe sidomos ndaj ish aleatit të tij, Ilir Metës, duke e kthyer atë në kauzën e protestës që do të zhvillohej në 21 janar të vitit 2011, një të premte që do të merrte dhe nuancat e një të premteje të zezë.

Në çdo dalje publike Rama paralajmëronte një shpërthim popullor. Përplasja Rama-Berisha kishte filluar me deklarata, duke qenë plotësisht të ndërgjegjshëm në veprimet që do të ndërmerrnin.

Njëri lajmëronte dhunë, tjetri i përgjigjej me mjetet e dhunës. Përplasja midis tyre nuk ishte më politike dhe për sa do të ndodhte, askush prej të dyve nuk mund të thotë sot se gjërat dolën nga parashikimi, gjë shumë e rëndë për dy njerëzit kryesorë të politikës te të cilët, pjesa e ulur në karrige, dominonte turin e tyre.

Më 20 janar në mbrëmje kisha organizuar një pritje në Pallatin e Brigadave me rastin e vitit të ri diplomatik, ku ishin ftuar ambasadorë të akredituar në Shqipëri, deputetë të Komisionit të Jashtëm dhe ministri i Jashtëm.

Në këtë pritje merrte pjesë edhe ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, i porsaardhur në Shqipëri. E kisha takuar në Presidencë me rastin e paraqitjes së letrave kredenciale dhe në një pritje që ai organizoi ne mjediset e rezidencës së tij në Tiranë.

Një burrë i qeshur, i zgjuar dhe natyrisht i veshur me respektin që gëzon në çdo kohë një përfaqësues i SHBA-së në Shqipëri. Atmosfera e pritjes së datës 20 janar ishte disi e rëndë nga pikëpamja e situatës politike, ku çdo orë që kalonte paralajmëronte një përplasje traumatike dhe protesta parashikohej e dhunshme, nisur edhe nga deklaratat që kishin bërë të dy krahët politikë.

Gjatë fjalës sime flitej kryesisht për politikën e jashtme të vendit, ku gjithçka ishte e shkruar dhe vëmendja ishte në çdo fjali. Duke marrë informacione të minutës së fundit për acarimin e skajshëm të situatës u shkëputa nga leximi dhe u shpreha pa letër duke thënë: – ‘Në këto çaste që po flas, ndiej një shqetësim të madh për retorikën e ashpër dhe për një klimë tensioni të madh midis qeverisë dhe opozitës’. Sigurisht, diplomatët e huaj po e ndiqnin fjalën time në heshtje të plotë dhe shumë të përqendruar, pasi edhe ata kishin informacion nga kanalet e tyre se ç’mund të ndodhte në Tiranë. –‘Me këtë raste u bëj thirrje partive politike të dy krahëve, qeverisë dhe opozitës, të ulin tensionet dhe të përdorin artin e komunikimit civil dhe mjetet politike për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve’.

Natyrisht, Bahri Shaqiri, kreu i SHISH, kishte raportuar me shkrim, por edhe gjatë bisedës në zyrën time, që gjendja nuk ishte e mirë, tensioni po rritej dhe asgjë nuk mund të parashikohej si do të shkonte.

Gjithçka varej nga vullneti i qeverisë dhe opozitës së bashkuar se deri ku ata do të shkonin me deklarimet e bëra.

Vëmendja e institucioneve, e medias, e ambasadorëve ishte e madhe.

21 Janari gdhiu i zymtë, me një parandjenjë që të mbyste shpirtin, për më tepër duke parë organizimin orë pas ore, a thua se ishte vendosur nga palët që do të përplaseshin në hapësirën para Kryeministrisë dhe Kuvendit dhe kjo do të transmetohej ‘live’ nga komentatorët si në një ndeshje boksi, ku pjesa VIP e analistëve politikë dhe gazetarëve do ta ndiqnin nga kafenetë e kullave, nën avujt e alkoolit.

Më shumë se kujdesi i policisë për të kufizuar trafikun në bulevard, ishte një lloji intuite e banorëve të Tiranës, të ‘stërvitur’ tashmë me prag ngjarje të tilla, duke braktisur me dëshirë qarkullimin në bulevard.

Kishte këmbësorë që përshkonin hapësirat e rrugës kryesore të Tiranës për hallet e tyre, por edhe kureshtarë, besoj, për vigjiljen e një demonstrate që parashikohej e dhunshme.

Më informuan që kishin mbërritur autobusët nga rrethet në pika të ndryshme të qytetit. Në sheshin e stadiumit ‘Qemal Stafa’, pranë Presidencës, ishin parkuar më shumë se 10 autobusë nga jugu i Shqipërisë. Opozita politike, me sa duket, e kishte planifikuar hyrjen e njerëzve nga drejtim të ndryshme të bulevardit për ta filluar tubimin me fjalimet në orën 14:00, midis Kryeministrisë dhe zyrave të Kuvendit të Shqipërisë.

Njerëzit kishin ngritur lart banderola me sharje për Berishën, për qeverinë, ndërkohë që policia ishte rreshtuar me forca të shumta te trotuari para Kryeministrisë. Te ndërtesat që shikonin nga bulevardi, mbi tarracat e tyre, dalloheshin ushtarë dhe disa snajperë.

Precipitimi moral arriti kulmin kur Sali Berisha kishte diktuar mjekët anatomo-patologë të Spitalit Ushtarak, që në krah të Kryetares së Kuvendit shpreheshin se plagët e zjarrit tregonin që protestuesit ishin goditur nga afër, sikurse kishte thënë kryeministri, që ishin vrarë nga brenda turmës.

Ishte thyer rëndë urdhri i Hipokratit dhe roli i të parit qeverisë, i cili ishte fajtor me të dyja këmbët brenda, pasi ishte edhe mjek edhe kryeministër. Më pas titulli i Urdhrit të Mjekut i dënoi ligjërisht e moralisht mjekët në fjalë, pasi e vërteta ishte ndryshe.

Afër mesnatës, në një studio televizive, ‘plasi bomba’, duke sjellë pamje filmike të zjarrit automatik që vinte nga një efektiv i Gardës së Republikës drejt njerëzve në bulevard.

Më vonë do të merrej vesh që quhej Agim Llupo dhe sot është në liri, ndërkohë që komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, shfaqej me sy të nxirë. Pamjet filmike të Artanin do të sillnin një pështjellim të madh te Sali Berisha, i cili nëpërmjet njerëzve të tij në Kryeministri, Policinë e Shtetit e në Gardë, po krijonin pengesa të mëdha për punën e prokurorëve lidhur me grumbullimin e provave në vendngjarje.

Orientimi ishte i qartë: Të prisheshin provat e krimit dhe të zhdukej çdo pamje filmike. Kjo u vërtetua me zhdukjen e regjistrimeve të kamerave të sigurisë në Kryeministri dhe prishjen e serverit, shenjë e qartë se de facto po pranohej autorësia e masakrës. Hetimet provuan se sapo dolën pamjet filmike, në këtë kohë janë zhdukur pamjet filmike të kamerave të Kryeministrisë (midis orës 01:30-02:30 të datës 22 janar).

Data 22 janar nxori në shesh pikërisht përplasjen e fortë qeveri-prokurori. Informacionet konfirmonin faktin se Sali Berisha me strukturat e veta po fshinin të vërtetat e organizimit brenda territorit të Kryeministrisë, komunikimet verbale, urdhrat, deri tek akuzat e ndërsjella të prokurorëve me njerëzit në drejtim të Gardës. Ndonëse nuk ishte prononcuar për këtë situatë kryeministri dirigjonte që gjithçka t’u faturohej njerëzve jashtë gardhit të Kryeministrisë.

Në vijim të indicieve, Prokuroria e Tiranës (grupi i hetimit), mbi bazën e fakteve dhe të provave paraprake, nxori një urdhër ndalimi për disa drejtues të Gardës së Republikës, të përfshirë drejtpërdrejtë në ngjarje. Përveç të tjerave, tashmë kishte pamje filmike që rëndonin pozitat e tyre.

Pas daljes së urdhrit filloi një përplasje e hapur mes tyre, ku Berisha kundërshtoi ashpër prokurorinë me shprehjen se ata duan të lënë Gardën e Republikës pa zinxhirin komandues, duke folur publikisht se ata njerëz nuk do të dorëzoheshin në prokurori. Në këto kushte kërkova që Ina Rama të vinte dhe të më informonte për situatën, e cila po shkonte në një drejtim tjetër, atë të përplasjes së hapur të institucioneve, ku politika po pengonte dhe po sabotonte një hetim objektiv të ngjarjes së rëndë.

Ina Rama erdhi me një frymë në zyrën time në Presidencës, me një pamje të qetë, gjë që i jepte epërsi në gjykimin e situatës.

–Çfarë po ndodh konkretisht? – e pyeta.

–‘Kemi kërkuar t’i marrim në pyetje.

Shkresën ia kemi dërguar drejtorit të Policisë, Hysni Burgaj, por ende nuk ka përgjigje. Qëllimi është t’i marrim në pyetje’.

Hysniu, pasi kishte marrë urdhrin nga kryeministri, po bëhej njësh me të në sabotimin e hetimeve. Ai kishte që një njeri i panjohur, me një karrierë tepër modeste kur u emërua drejtor.

Në përshtypjen time, Hysniu ishte një figurë militante dhe besnik i njeriut që e emëroi, kështu që kurrë nuk demonstroi tiparet e një figura që drejton Policinë e Shtetit, por atë të pushtetit. ‘Vazhdo me kurajo dhe pa ju ndarë ligjit dhe procedurave.

Do kesh mbështetjen time për zbardhjen e kësaj çështjeje. Beteja do të jetë e fortë, por ne do të shkojmë tek e vërteta, cilado të jetë kostoja e saj’, – thashë Inës, duke kërkuar të më informojë hap pas hapi.

Për herë të parë në historinë e shtetit ligjor, një kryeministër mori përsipër moszbatimin e urdhrave të kryeprokurores, duke u vetëshpallur vetë agresor, vetë prokuror, vetë mjek anatomo-patolog dhe vetë garant i Kushtetutës dhe gjyqtar i çështjes”.

Në mbledhjen e qeverisë, djallëzia e Berishës kishte arritur kulmin. Ai foli këtu për server të paprishur të Kryeministrisë, që ta ketë si alibi se nuk kishte dijeni për këtë gjë, duke ia hedhur fajin Gjergj Lezhjes, sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë.

Në fakt serveri ishte fshirë natën e 21 janarit, ku Berisha ishte fshehësi i së vërtetës së hidhur që do të tregonte se çfarë ndodhi brenda zyrave të tij, çfarë urdhrash u dhanë dhe kush ishte atë ditë atje. Në një takim me pjesëtarë të Gardës dhe familjeve të tyre u improvizua një nga aktet më të shëmtuara të një njeriu me karakter të keq e moral të deformuar, një arkitekt i së keqes dhe një gënjeshtar profesionist, i cili në arsyetimin e tij kriminal ndryshon versionin e ngjarjeve duke shpikur teorinë e grushtit të shtetit.

Edhe në mbledhjen e qeverisë kishte thënë të njëjtat gjëra. Pas disa fjalive përshëndetëse me të pranishmit filloi të fjalë për ngjarjet e 21 Janarit duke ngushëlluar me hipokrizi familjet e të vrarëve nga urdhrat e tij dhe më tej nxori xhevahiret që janë fiksuar në histori si shprehje të padenja për një kryeministër: ‘Ata që flasin për ngjarje në bulevard, nuk ja gjë tjetër veçse horra dhe lavire bulevardi’, duke nënkuptuar presidentin dhe kryeprokuroren.

Ndërsa shprehje kështu, në buzën e poshtme i dallohej qartë një plagë ‘herpes labialis’, që për mjekët është shenjë e qartë e një stresi që ai kishte kaluar gjatë natë, stresi që shoqëron përgjithësisht ngjarjet që kanë mbi shpinë ndjenjën e një mëkati të madh. Madje kishte thënë se në një grusht shteti mund të mos vritet asnjë, mund të vriten 3, 30 apo 300”.

Të nesërmen, më datë 23 janar, ditë e diel, herët në mëngjes mora një telefonatë nga Lulzim Basha, ministër i Brendshëm dhe pas përshëndetjes së rastit kërkoi të më takojë. Rreth orës nëntë të atij mëngjesi e prita Lulin në zyrë të improvizuar në banesën time. Ishte i shqetësuar, nuk e fshinte dot gjendjen e tij dhe ndërrimin e kursit të ngjarjeve.

–Mirëmëngjesi , mirë se erdhe! –hapa bisedën.

–Mirëmëngjesi! Ndoshta herët se është dhe e diel! –më tha.

–Jo, i thash. Jam pothuajse pa gjumë gjithë natën duke ndjekur ç’po ndodh. Meqenëse jemi këtu, ç’po ndodh në këndvështrimin tënd në marrëdhëniet me prokurorinë? – vazhdova bisedën. Pas një hezitimi të shkurtër më thotë: ‘Në fakt për këtë çështje erdha të bisedoj! Ne jemi të shqetësuar për urdhërndalimet e zinxhirit komandues të Gardës”! Ai jo vetëm kishte ardhur me urdhrin e Saliut, por po përsëriste besnikërisht të njëjtat fjalë që shefi i tij i kishte thënë publikisht një ditë më parë.

-Erdha të them edhe në emër të kryeministrit të ndërhyni të Prokurorja e Përgjithshme për t’u tërhequr nga kjo iniciativë! – tha Luli duke mbyllur kërkesën e tij.

Kjo ishte sipas meje çasti që do të kuptohej nëse presidenti merrte pozicion në favor të qeverisë apo të kryetarit të shtetit, ku shërbimi i tij duhet të jetë kushtetues dhe jo arbitrar. Tashmë gjithçka ishte e qartë dhe vendosmëria për të mbështetur prokurorinë ishte e palëkundur.

-Dëgjo, Luli! Besoj se biem dakord që ka ndodhur një ngjarje e përmasave tragjike, me implikime të rënda të politikës dhe shtetit. Unë jam kryetar shteti dhe interesi është që me qetësi të vendosemi të zbulojmë shkaktarët, duke filluar me politikanët, demostruesit, policët, gardistët e kushdo qoftë pas tyre. Unë nuk mund të marr përgjegjësi historike për të devijuar të vërtetën. I kam dhënë besimin kryeprokurores në një takim të zhvilluar dje, nga ku rezulton se qeveria dhe garda apo policia nuk po bashkëpunojnë për mbledhjen e provave dhe hetimin.

Në fund, para se të ndaheshim, duke dashur të ruaj një komunikim me njerëzor, ndoshta i dhashë një këshillë të panevojshme.

–Shiko letrat e tua nëse i ke në rregull se kjo punë parashikon se do të shkojë jo mirë.

Të dielën në mbrëmje ai (Berisha) mblodhi Parlamentin, ku deputetët besnikë të Sali Berishës bërtisnin për grusht shteti. Dita iku shpejt dhe lufta mediatike ishte vendosur në gojë të gazetarëve apo analistëve, të cilët ishin pozicionuar në llogoret e palëve.

Ndërkohë unë isha në kontakt me miqtë në ndërkombëtarë te të cilët ndihej shqetësimi në rritje. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë, që kryeministri, veç opozitës, ishte futur në konflikt me shtetin dhe përfaqësuesit e tij.

Në mbledhjen e qeverisë, djallëzia e Berishës kishte arritur kulmin. Ai foli këtu për sever të paprishur të Kryeministrisë, që ta ketë si alibi se kishte dijeni për këtë gjë, duke ia hedhur fajin Gjergj Lezhjes, sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë. Në fakt severi ishte fshirë natën e 21 janarit, ku Berisha ishte fshehësi si së vërtetës së hidhur që do të tregonte se çfarë ndodhi brenda zyrave të tij, çfarë urdhrash u dhanë dhe kush ishte atë ditë atje.

Nuk kishin kaluar disa minuta kur më telefonojnë me radhe Sali Shehu, Sami Gjergji, Aleksandër Biberaj, duke kërkuar takim për t’u konsultuar për situatën së bashku me Bensik Mustafajin. Pa kaluar 30 minuta nga fjalimi kërcënues i Sali Berishës në, banesa ima ishte blinduar me oficerë të Gardës, njerëz të SHIU dhe besnikë të Sali Berishës. Kryetari i shtetit ndihej i rrethuar dhe gati-gati si të arrest shtëpie.

Thërrita shoferin tim, Kujtimin, një mikun tim dhe të familjes, njeri besnik, duke i thënë se si ishte situata rreth e qark shtëpisë. Shkova, u vesha sportiv dhe u futa në makinë i ulur mbrapa, Makina po dilte nga rruga e shtëpisë sime duke shkarkuar lëvizje e dyshime tek rojet e shumtë që raportonin direkt tek eprorët e tyre, të cilët duhet të ishin ndalur për përfshirje në ngjarjet e dy ditëve më parë. Përfytyrohet që siguria e jetës sime ishte tashmë në duart e miqve të kryeministrit…

Makina kaloi postbllokun kryesor dhe u fut në rrugicat plotësisht në errësirë dhe pas dy manovrimeve në zonën e Kinostudios u kthyet për të marrë rrugën e Dajtit, duke u sigurua se askush nuk kishte mundur të na ndiqte….

Kujt mund t’i shkonte në imagjinatë që kreu i shtetit po udhëtonte në ato kushte në errësirë e në një natë të ftohtë dimri, me erë dhe pa hënë”.

Ribotim

Football news:

Ole Gunnar Solskjaer: Manchester United are waiting for three important weeks, matches with Chelsea, Leicester. We are confident in ourselves
Gattuso on Granada: If Napoli were killing time like this, we would have been smeared in the press
Dzeko is Roma's top scorer in European competitions. He scored the 29th goal and beat Totti
Mikel Arteta: We got to give them two goals. Would hate to fly out of the Europa League
Milan kicked 18 penalties for the season. This is the best result in the top 5 leagues in Europe
Man City can offer Borussia more than 100 million pounds for Holand and Reina. The club is exploring this possibility (90min)
Ajax have won 11 matches in a row. The last defeat against Atalanta in December