Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

UASHINGTON- SHBA-ja kritikon Rusinë për moszbatimin e marrëveshjeve të Minskut

UASHINGTON, 3 dhjetor /ATSH-AA/- SHBA-ja paralajmëroi Rusinë të enjten për çfarëdo agresioni të ri ushtarak kundër Ukrainës dhe i kërkoi Moskës të përmbushë angazhimet e saj që dalin nga Marrëveshja e Minskut.

“Jemi thellësisht të shqetësuar lidhur me provat që Rusia ka bërë plane për agresion të mëtejshëm të konsiderueshëm kundër Ukrainës”, tha Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken në takimin e 28-të të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) në Stokholm të Suedisë.

“Ne i bëjmë thirrje Rusisë të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, të përshkallëzojë situatën, të kthejë grumbullimin e fundit të trupave, të kthejë forcat në pozicionet normale paqësore dhe të zbatojë angazhimet e Minskut, veçanërisht dispozitat e armëpushimit dhe të lejojë monitoruesit e OSBE-së të kenë qasje të papenguar”, theksoi Blinken.

Ai tha se “Rusia për fat të keq vazhdon të shkelë Parimet e Helsinkit dhe në mënyrë të përsëritur pengon punën e kësaj organizate. Ajo është përgjegjëse për rreziqet me të cilat përballet çdo ditë Misioni Special i Monitorimit të OSBE-së në Ukrainë. Marrja me forcë e Krimesë ka sjellë abuzime të pamëshirshme kundër tatarëve të Krimesë, ukrainasve etnikë dhe të tjerëve që kundërshtojnë në mënyrë paqësore pushtimin e tyre”.

Duke nënvizuar se diplomacia është mënyra e vetme përgjegjëse për zgjidhjen e kësaj krize, Blinken vuri në dukje se ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov flet për zbatimin e marrëveshjeve të Minskut.

“Por, le ta bazojmë këtë edhe në fakte. Ka një sërë angazhimesh që të dyja palët kanë marrë në Minsk, gjithashtu edhe me përfshirjen e OSBE-së. Rusia nuk ka zbatuar armëpushimin, Rusia nuk ka zbatuar tërheqjen e të gjitha armëve të rënda, Rusia nuk ka zbatuar lejimin e monitorimit të OSBE-së. Mund të vazhdoj ende”, theksoi Blinken.

“Nëse miqtë tanë rusë janë të përgatitur të zbatojnë angazhimet e tyre të Minskut dhe po ashtu dhe miqtë tanë ukrainas, ne do ta mbështesim plotësisht këtë dhe kjo është mënyra më e mirë për të shmangur një krizë të re në Ukrainë”, shtoi sekretari amerikan.

Blinken i bëri thirrje edhe Bjellorusisë që të ndërpresë shtypjen e dhunshme dhe të lirojë të gjithë të burgosurit politikë dhe të dëgjojë kërkesat e popullit për zgjedhje të lira dhe të ndershme me një vëzhgim të pavarur si dhe të ndalojë të përdorë armën mizore të migracionit.   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.