Prokuroria e Përgjithshme i është përgjigjur Partisë Demokratike lidhur me akuzat ndaj Valdrin Pjetrit, i zgjedhuri i 30 qershorit si kryebashkiak i Shkodrës, por që një ditë më parë u tërhoq nga posti për t’u përballur me ligjin si qytetar i thjeshtë.

Në një përgjigje drejtuar PD, organi i Akuzës thekson se procesi i verifikimit ndaj Valdrin Pjetrit ka nisur që më datë 6 gusht 2019.

Ndërkohë, vetëm pak ditë para kësaj date, përkatësisht më 2 gusht 2019, PD iu drejtua Prokurorisë me një letër publike, duke i kërkuar të verifikonte figurën e Pjetrit, pasi sipas opozitës, ka qenë i dënuar në Itali për trafik droge.

“Procesi i verifikimit që më datë 6 gusht 2019. Shkresa iu dërgua zyrës së Gjendjes Gjyqësore. Shkresa iu dërgua për verifikim edhe policisë. Pjetrit iu kërkua të depozitojë gjurmët daktoliskopike”, thuhet në reagimin e Prokurorisë.

(d.ç./BalkanWeb)